
Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Franco Federici, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të bashkëpunimit të FARSH me Komandën e KFOR ku u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj.
Gjatë fjalës së tij në takim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, pasi uroi gjeneralmajor Federici për marrjen e Komandës së KFOR në nëntor të vitit të kaluar, shprehu bindjen se me eksperiencën e tij në NATO, BE dhe Kombet e Bashkuara, ai do të jetë një vlerë e shtuar për misionin e KFOR.
Gjithashtu, gjeneralmajor prof. asoc. Begaj shprehu mirënjohjen ndaj burrave dhe grave nën uniform që shërbejnë në KFOR, ku edhe Shqipëria është pjesë e këtij misioni. Nga ana e tij, gjeneralmajor Federici vlerësoi maksimalisht performancën e personelit ushtarak shqiptar që shërbejnë në KFOR.

Strukturat e Forcave të Armatosura, dhe konkretisht forcat xheniere të Komandës Mbështetëse, kanë kryer sot një operacion në mbështetje të komunitetit për hapjen e aksit rrugor Bogë - Theth, të bllokuar nga dëbora.
Si pasojë e reshjeve të shumta, dëbora në këtë aks shkoi në lartësinë 1m dhe me kërkesë të pushtetit lokal për arsye të mospërballimit të situatës, efektivët xhenierë me mjete speciale fadromë, shkuan në ndihmë për të bërë të mundur hapjen e rrugës dhe mundësimin e lëvizjes së automjeteve.
Në jug të vendit dhe në rajonin qendror situata është drejt normalizimit, ndërkohë që ka një përmirësim të dukshëm edhe në Lezhë.
Qarku i Shkodrës është në monitorim të vazhdueshëm si nga strukturat vendore ashtu edhe nga ato qendrore. Forcat e Armatosura po mundësojnë lëvizjen e banorëve me mjete lundruese dhe mjete të larta. Gjithashtu FA po transporton pakot ushqimore nga Rezervat e Shtetit, drejt zonave të prekura.
Të gjitha hidrovoret në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës funksionojnë me kapacitet të plotë. Në Shkodër nuk ka asnjë familje të evakuuar, ndërkohë që janë përmbytur 4080 ha tokë.
Për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit, të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura kanë kaluar në gatishmëri të plotë për përballimin e kësaj situate.
Forca Tokësore dhe Komanda Mbështetëse janë angazhuar drejtpërdrejt në zonat e prekura më shumë nga kjo situatë, kryesisht në zonën e Shkodrës dhe atë të Lezhës. Në terren janë angazhuar trupa të pajisura me mjetet për të tilla situata si dhe janë vënë në dispozicion të autoriteteve të pushtetit vendor dhe lokal automjete të kalueshmërisë së lartë me qëllim transportin e materialeve dhe personave të prekur nga përmbytjet. Përveç trupave të angazhuara drejtpërdrejt në operacion, trupa të tjera qëndrojnë në gatishmëri në reparte për t’ iu përgjigjur çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës.
Mbrëmjen e datës 08 janar, Forca Detare (Roja Bregdetare) u informua për një gomone me 55 migrantë, midis tyre gra dhe fëmijë, në grykëderdhjen e lumit Vjosë, e cila ishte në rrezik mbytjeje.
Pas vlerësimit të informacionit dhe situatës, Forca Detare koordinoi punën për realizimin e operacionit të kërkim - shpëtimit dhe menjëherë në vendngjarje u dërguan dy anije të Flotës Detare.
Operacioni për bllokimin e mjetit lundrues dhe evakuimin e personave në bord, u krye në kushte të vështira atmosferike dhe me det me forcë mbi 5 ball.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e orëve të fundit.
Me kërkesë të Bashkisë Shkodër, Forcat e Batalionit I të Këmbësorisë janë vënë në dispozicion të Bashkisë Shkodër për transportin dhe evakuimin në rast nevojë në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit. Aktualisht ka përmbytje të pjesshme në njësinë Ana e Malit, në fshatin Kuç, ndërsa janë rritur prurjet e lumit Kir dhe Gjadër. Në një pjesë të sipërfaqeve të tokave ka ujë që shkon deri në 30 cm.
Ministri i Mbrojtjes, z. Niko Peleshi dhe SHSHPFA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj morën pjesë në ceremoninë e nisjes së Kontingjenti VIII EOD, i cili do të marrë pjesë në misionin e Prezencës së Përparuar të Përforcuar (enhanced Forward Presence - eFP) të NATO, si pjesë e grup-batalionit të udhëhequr nga forcat kanadeze të dislokuara në Letoni.
Ministri i Mbrojtjes z Niko Peleshi, përshëndeti trupat xheniere të Komandës Mbështetëse dhe i falënderoi ato për kontributin e vyer në shërbim të paqes e komunitetit. Ministri i Mbrojtjes theksoi rëndësinë e këtij kontributi në shërbim të paqes sẽ përbashkët përkrah aleatëve tanë të Aleancës dhe vijimësinë e tij nëpërmjet këtij kontingjenti, i cili ka vendosur një standard të lartë gjatë kontributit të tij në misionin e Prezencës së Përparuar të Përmirësuar të NATO-s në Letoni.