Gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj, merr pjesë në Takimin virtual të Komitetit Ushtarak të NATO

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor Begaj mori pjesë në takimin virtual të Komitetit Ushtarak të NATO-s, në nivel Shefash Shtabi të Përgjithshëm.

Shefat e Mbrojtjes të vendeve të Aleancës u mblodhën për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë me të cilat po përballet Aleanca, në të gjitha fushat operacionale dhe zonat gjeografike të përgjegjësisë. Gjithashtu, qëllim i këtij takimi ishte edhe promovimi i transparencës midis aleatëve dhe koordinimi i aktiviteteve të vazhdueshme kombëtare me ato të Aleancës.

Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR) dhe ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Inteligjencën dhe Sigurinë, informuan dhe përditësuan Komitetin Ushtarak. Ndërkohë nga shefat e Mbrojtjes u shkëmbyen mendime dhe informacione, duke nënvizuar rëndësinë që ka mirëkuptimi kolektiv në parandalimin, frenimin dhe qëndrimin mbrojtës të Aleancës. 

Gjeneralmajor Begaj në fjalën e tij shprehu falënderimin për thirrjen e këtij takimi, me qëllim për t'u informuar dhe diskutuar për çështjet më urgjente të situatës së sigurisë jo vetëm në Lindje, por edhe në krahun jugor, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Ai falënderoi SACEUR për përditësimin dhe vlerësimin operacional të situatës së sigurisë në zonën e përgjegjësisë së NATO-s, si dhe theksoi mbështetjen e plotë për këtë vlerësim gjithëpërfshirës. Gjithashtu, gjeneralmajor Begaj shprehu angazhimin për ndjekjen me shumë interes të situatës së shkaktuar nga dislokimet dhe aktiviteti rus në kufirin me Ukrainën, por edhe në kufirin me vendet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Komiteti Ushtarak, i kryesuar nga admirali Rob Bauer, është përgjegjës për këshillimin e autoriteteve politike të NATO-s mbi masat që konsiderohen të nevojshme për parandalimin dhe mbrojtjen e përbashkët të territorit të NATO-s, si dhe për zbatimin e vendimeve në lidhje me operacionet dhe misionet e NATO-s.






Media Sociale



Moti