Mesazh urimi i SHSHPFA me rastin e 109 - Vjetorit të Krijimit të Forcave të Armatosura

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, me anë të një mesazhi, ka uruar ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe civilë të Forcave të Armatosura, me rastin e 109 - vjetorit të krijimit të tyre: 

Të nderuar ushtarakë dhe civilë të Forcave të Armatosura,

Si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kam kënaqësinë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj për përvjetorin e 109 - të të Krijimit të Forcave tona të Armatosura!

4 Dhjetori i vitit 1912 është një kushtrim i të parëve tanë ndaj kujtesës kombëtare për vlerën dhe rëndësinë e Forcave të Armatosura, por edhe tribuna për të shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë ndaj themeluesve dhe arkitektëve të forcës ushtarake të vendit dhe të gjithë gjeneratave që kanë shërbyer e kontribuar në vite. Kjo ditë është momenti që të ndjehemi krenarë për rrugëtimin e lavdishëm dhe për statusin e nderuar e të vlerësuar që kemi fituar brenda shoqërisë tonë, por edhe midis aleatëve tanë në Aleancën Euroatlantike.  

Forcat e Armatosura janë sot nderi dhe krenaria e vendit, në sajë të angazhimeve dhe kontributeve të qenësishme dhe të rëndësishme në misionet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare. Ky është një motiv i mjaftueshëm që t’u shpreh një mirënjohje dhe respekt të veçantë të gjithë atyre që kanë kontribuar në vite dhe atyre që janë aktualisht të angazhuar në vijën e parë të frontit të Aleancës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtar në Letoni, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë e Sudan. Sot, për të gjithë ne njerëzit me uniformë, është gjithashtu çasti solemn, t’u kushtojmë një përulje dhe homazh të veçantë të gjithë atyre që me vetëmohim kanë bërë edhe sakrificën sublime në shërbim të Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit. Respekt dhe mirënjohje edhe për gjithë familjet e ushtarakëve, që me përfshirjen dhe mbështetjen e tyre të pakushtëzuar dhe të pakursyer, janë bërë pjesë e pandarë e kontributeve dhe komunitetit tonë ushtarak. 

Me shërbimin dhe kontributin e saj në çdo situatë nevoje dhe emergjence të komunitetit e qytetarëve, në çdo skaj të vendit, Forcat e Armatosura janë bërë një pjesë integrale, e dashur dhe e kërkuar e gjithë shoqërisë tonë. Ky angazhim, do të vazhdojë të ngelet prioriteti dhe detyrimi ynë më i rëndësishëm.  

Të nderuar ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe civilë të Forcave të Armatosura,

Ky përvjetor i gjen Forcat tona të Armatosura me mesazhe të rëndësishme për një vëmendje të shtuar përkujdesje, për një mbështetje dhe motivim të merituar dhe rritje të dinjitetit të të gjithë personelit që shërben dhe ka shërbyer në Forcat e Armatosura, por edhe për një modernizim, zhvillim dhe rritje të aftësive të tyre. 

Kam bindjen time të palëkundur se me angazhimet dhe përkushtimin tonë, kurdoherë do ta meritojmë plotësisht dhe denjësisht respektin dhe besimin e popullit, të autoriteteve të vendit dhe të aleatëve tanë në NATO. Është rasti i këtij përvjetori, t’i sigurojmë të gjithë, se devocioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë gjithmonë atdheu, nderi, detyra dhe se ato do të jenë të suksesshme në përmbushjen e misionit të tyre fisnik.

Me mirënjohjen dhe respektin më të thellë për shërbimin, sakrificat dhe kontributin tuaj dinjitoz, ju uroj gëzuar këtë përvjetor të Forcave të Armatosura! 

 

Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

 

 






Media Sociale



Moti