Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut. 

Gjatë vizitës së tij në Shkup, gjeneralmajor Begaj u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut z. Stevo Pendarovski, ministrin e Mbrojtjes znj. Radmila Shekerinska, si dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovski dhe ambasadorin e RSH z. Fatos Reka.

Gjatë takimit me gjenerallejtënant Gjurchinovski u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit dypalësh ushtarak, aktivitetet e përbashkëta të mbrojtjes, si dhe forcimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi me pjesëmarrje në stërvitje dhe trajnime të përbashkëta.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim lidhur me rritjen e bashkëpunimin dypalësh ushtarak, sidomos në fushën e arsimimit, trajnimit dhe stërvitjes, mbrojtjes civile në rast emergjencash, por dhe zhvillimeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. 

Në fokus të veçantë gjatë takimit ishte edhe ndërveprimi në iniciativat rajonale, si ajo Adriatik Charter A-5, SEDM, BCHODs, por edhe Qendra Rajonale për Marrëdhëniet me Publikun. 

Gjenerallejtënant Gjurchinovski gjatë takimit vlerësoi rolin e FARSH dhe lidershipin e saj gjeneralmajor Begaj, në rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Të dy shefat e shtabit ranë dakord për të rritur më tej këtë bashkëpunim midis dy forcave të armatosura. 

Nga ana e tij, gjeneralmajor Begaj falënderoi homologen e tij për qasjen pozitive dhe mbështetjen e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut po jep për shtetin e Kosovës. 

Në takimet e tjera me presidentin e vendit z. Pendarovski dhe ministrin e mbrojtjes znj. Shekerinska, u diskutua për situatën e përgjithshme në rajonin tonë si dhe zhvillimet aktuale në mjedisin e sigurisë dhe të mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor. 

Gjeneralmajor Begaj falënderoi të dy autoritetet politike për rolin e tyre dhe i siguroi ata për vendosmërinë e FARSH për të rritur dhe zgjeruar më tej bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes. 

Bashkëpunimi midis dy vendeve, por edhe në kuadër të NATO-s, do të vazhdojë të luajë një rol mjaft të madh në sigurinë e rajonit si dhe për çështjet me interes të përbashkët.

 






Media Sociale



Moti