Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, vizitë zyrtare në Komandën Supreme të Aleancës në Evropë (SHAPE)

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd
 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Komandën Supreme të Aleancës në Evropë (SHAPE), në Mons, Belgjikë.

Gjatë kësaj vizite SHSHPFA u prit dhe pati takime me komandantin e Komandës së Operacioneve të NATO (ACO) gjeneral Tod D. Wolters, zëvendëskomandantin gjeneral Tim Radford dhe zëvendësshefin e Shtabit të kësaj komande gjenerallejtënant Brice Houdet. 

Gjeneralmajor Begaj, gjatë takimit të zhvilluar me gjeneral Wolters, pasi vlerësoi kontributin e ACO, si një komandë strategjike për planifikimin, monitorimin dhe zhvillimin e operacioneve të NATO-s, vuri theksin dhe vlerësoi rolin drejtues të gjeneral Wolters dhe burrave dhe grave nën uniformë që shërbejnë në këtë komandë. “Zona euroatlantike ofron paqe, prosperitet dhe siguri për shkak të punës, angazhimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të ACO, strukturës komanduese të saj, si dhe lidershipit dhe gjithë personelit ushtarak të cilët janë në gatishmëri, patrullojnë ujërat dhe hapësirën ajrore, stërviten dhe trajnohen për sigurinë e qytetarëve tanë. Megjithatë, liria nuk është e lirë, ndaj përulemi përpara atyre që kanë dhënë jetën në krye të detyrës në misionet e NATO”, - u shpreh ndër të tjera gjeneralmajor Begaj.

Nga ana e tij, gjeneral Wolters vlerësoi rolin dhe angazhimin e Shqipërisë në misionet dhe aktivitetet e NATO-s që nga Afganistani në Kosovë, detin Egje, në Letoni si dhe kontributin në strukturat komanduese të NATO-s. Ai gjithashtu vlerësoi rolin kyç të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor duke kontribuar në sigurinë e përbashkët. “Shqipëria ka demonstruar një angazhim të hekurt për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe Mesdhe që prej anëtarësimit të saj në NATO. Mezi presim të punojmë me Forcat e Armatosura shqiptare në stërvitjen “Defender 2022” për të përmirësuar operacionalitetin dhe gatishmërinë e forcave ushtarake të Aleancës për ruajtjen e paqes në zonën euroatlantike”, theksoi gjeneral Wolters gjatë takimit.

Më tej dy ushtarakët e lartë shkëmbyen vlerësimet e tyre për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit e më gjerë. Në veçanti, u vlerësua misioni i KFOR si një nga operacionet më të suksesshme të NATO në këto dy dekada dhe roli i tij në situatën e sigurisë dhe paqes në rajon. 

Gjeneralmajor Begaj, zhvilloi gjithashtu një takim me zëvendëskomandantin e ACO, gjeneral Radford, ku u diskutua rreth zbatimit të konceptit të NATO-s për mbrojtjen e zonës euroatlantike (Deterrence and Defence of the Euro-Atlantic Area Of Responsibility) dhe gjenerimit të forcës për operacionet dhe aktivitet e Aleancës. 

Gjeneralmajor Begaj vlerësoi në veçanti rolin e gjeneral Radford për ta çuar më tej këtë koncept dhe kontributin që ai do të ketë për sigurinë e zonës së përgjegjësisë së NATO-s. Ndërsa Gjeneral Radford, falënderoj SHSHP të FA për kontributin dhe vlerësimet e situatës së sigurisë në rajonin e Ballkanit të cilat ndihmojnë në pasjen e një pamje të qartë për t’u marrë në konsideratë gjatë procesit të planifikimit operacional për këtë rajon. 

Në mbyllje të vizitës së tij zyrtare në SHAPE, gjeneralmajor Begaj, zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesin ushtarak kombëtar, kolonel Petrit Çuni si dhe personelin e FARSH që shërben në këtë komandë. 

Komanda e Operacioneve të Aleancës, u krijua dy vjet pas themelimit të NATO, në vitin 1951 si komanda e parë në nivelin strategjik. Komandanti i parë ishte gjenerali Dwight D. Eisenhower, i cili kishte titullin Komandant Suprem i Aleatëve në Europë (SACEUR). Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë ndodhej në periferi të Parisit të Rocquencourt, Francë.

Në vitin 1967 SHAPE u zhvendos nga Rocquencourt, Francë, në Casteau, Belgjikë, si rezultat i vendimit të presidentit francez Charles de Gaulle për të tërhequr vendin e tij nga struktura e integruar e komandës ushtarake e NATO-s. 

Në Samitin e Pragës në vitin 2002, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për një riorganizim të madh të strukturës komanduese të NATO-s, sipas të cilit do të kishte vetëm një komandë të nivelit strategjik përgjegjës për të gjitha operacionet e NATO-s, me titullin e Komandës Aleate të Operacioneve. Për arsye historike dhe financiare/juridike, selia e ACO ruajti titullin e saj tradicional SHAPE dhe komandanti i saj emërtimin tradicional si SACEUR. 

Vizioni i ACO do të jetë një komandë me cilësi të lartë përgjegjëse për planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve të kombinuara, të përbashkëta, të bazuara në efekte. 

Misioni: Të përgatitet, të planifikojë dhe të kryejë operacione ushtarake për të përmbushur objektivat politike të Aleancës.

 






Media Sociale



Moti