
Shqipëria ka nisur punën për të pritur sërish një nga stërvitjet më të mëdha, “Defender 2023”. Për këtë u organizua edhe konferenca koordinuese, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim si dhe përfaqësues të lartë ushtarakë të SHBA dhe Shqipërisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, pasi falënderoi të pranishmit, solli në vëmendje zhvillimin e stërvitjes “Defender Europe 21”, në vendin tonë, duke e cilësuar një histori suksesi.
“Është një privilegj për ne që të presim konferencën e parë të planifikimit për stërvitjen “Defender Europe 23” dhe sigurisht një mesazh i qartë për rëndësinë dhe rolin e Shqipërisë dhe Evropës Juglindore jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për Aleancën. Jam i sigurt se përmes aktiviteteve dhe demonstrimit të aftësive të saj do t'iu japë kundërshtarëve një mesazh të qartë dhe të fortë parandalimi dhe sigurie. Shqipëria është e prirur dhe ambicioze të presë një pjesë të stërvitjes “Defender Europe 23” në territorin tonë”, - u shpreh ndër të tjera gjeneralmajor Begaj
Në fjalën e tij, me këtë rast ministri Peleshi e vlerësoi stërvitjen “Defender 2021”.
“Kjo stërvitje shkon përtej gjithë dimensionit ushtarak dhe konfirmoj përfshirjen dhe gatishmërinë e të gjithë qeverisë për ekzekutimin e saj të shpejtë.. “Defender Europe” për ne, mbetet një mjet i fuqishëm i komunikimit strategjik i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe garancisë për qytetarët tanë, vendet e rajonit dhe mbarë Evropën”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Konferenca koordinuese e stërvitjes “Defender Europë-23”, që po zhvillohet në Tiranë nga data 25-29 tetor 2021, drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë dhe Afrikë si dhe me mbështetjen e Forcave të Armatosura Shqiptare. Në këtë konferencë marrin pjesë 32 vende të NATO-s dhe vendeve partnere.