
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, i shoqëruar nga komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Ilir Xhebexhia, zhvilloi një vizitë inspektuese të stërvitjes “Flotex-21”, faza e ekzekutimit të së cilës po zhvillohet në Gjirin e Vlorës në periudhën 18-22 tetor 2021.
Stërvitja Flotex është stërvitja vjetore kryesore e Forcës Detare, pasi shërben për vlerësimin dhe certifikimin e aftësive dhe kapaciteteve të Flotiljes Detare në realizimin e misionit dhe detyrave të saj themelore. E veçantë në stërvitjen e këtij viti ishte realizimi i qitjeve detare me armatimin e anijeve, bazuar në skenarë të supozuar.
Në prezantimin e stërvitjes, komandanti i Flotiljes Detare Pashaliman, kapiten i rangut I Sabri Gjinollari, njohu shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA me qëllimin, objektivat dhe skenarin e stërvitjes.
Qëllimi i stërvitjes është rritja e ndërveprueshmërisë midis mjeteve detare dhe Grupit të Bordingut të Flotiljes Detare, si dhe testimi i procedurave të zbatimit të ligjshmërisë detare për operacionet e Ndalimit Detar dhe Kërkim-Shpëtimit (SAR).
Gjeneralmajor Begaj vlerësoi përkushtimin e treguar nga efektivat pjesëmarrëse në stërvitje duke theksuar faktin se kapacitetet e Forcës Detare janë një aset i rëndësishëm i Forcave të Armatosura dhe kontributi i tyre në realizimin e misionit kushtetues të Forcës Detare dhe atë ligjor të Rojes Bregdetare, është jetik në sigurinë e vendit.