

14 gusht 2021, ora 14.00
1. Ka vijuar puna e forcave operacionale për shuarjen e zjarrit në fshatin Patalej, Njësia Administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Situata nuk paraqet rrezik për banesat.
2. Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, ka zgjeruar pak perimetrin. Forcat operacionale po përballen me vështirësi për shkak të tymit të krijuar. Po punohet për izolimin e vatrës së zjarrit.
3. Në përmirësim është situata në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, Njësia Administrative Malzi, bashkia Kukës, ku ka vijuar puna për shuarjen e vatrave të zjarrit. Në zonë po operon edhe një helikopter dhe nuk paraqitet rrezik për banesat apo forcat në terren.
4. Ka filluar prej mëngjesit ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në malin e Tërbunit, bashkia Pukë, ku gjithashtu po punojnë mbi 150 efektivë të FA.
5. Jo e mirë paraqitet situata në vatrën e zjarrit në fshatin Flet, Njësia Administrative Blerimaj, bashkia Fushë - Arrëz, pasi zjarri po përhapet me shpejtësi në drejtim të banesave. Ka filluar ndërhyrja nga ajri me helikopter.
6. Vatra zjarri ka gjithashtu midis fshatrave Kacni dhe Qafë Murrë, njësia administrative Selishtë, bashkia Dibër.Zjarri ka përmirësim në Qafë Murre, pasi ka kaluar në një terren shkëmbor dhe me bimësi të pakët.
7. Zjarri në fshatin Kacni, njësia administrative Selishtë bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar në terren të vështirë, pa rrezik për banesat. Në këtë zonë, zjarri është më i shtuar për shkak të bimësisë dhe drurëve të dendur. Po punohet nga forcat në terren për ta mbajtur larg zonës së banuar (pjesë e bashkisë Klos).
13 gusht 2021, ora 20.00
1. Zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë për shkak të erës së fortë është përhapur në drejtim të verilindjes, duke kaluar nga ana tjetër e rrugës kryesore që ndodhet në Patalej. Situata nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por rrezikshmëri në përhapje të perimetrit të saj në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Situata po ndiqet nga forcat në terren.
2. Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë është riaktivizuar. Është djegur sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Sot zjarri është përhapur nga erërat e forta duke e bërë të rrezikshme ndërhyrjen e forcave . Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar 50 forca ushtarake dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Forcat e Armatosura. Gjatë ditës ka punuar edhe Helikopteri çek. Vatra e zjarrit ka përshkuar një sipërfaqe të madhe rreth 150 ha dhe djegur 90 ha me ahe, pishë, barishte dhe dushqe. Nuk ka rrezik për zona të banuara.
3. Në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, në Kukës ka vijuar puna për shuarjen e vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Laku i Mollave”. Situata vijon të mbetet kritike, pasi është e vështirë të ndërhyhet nga toka. Gjatë ditës së sotme është punuar nga ajri. Nuk rrezikohet tuneli dhe banesa.
4. Në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Situata është më e qetë, por vazhdon zjarri brenda pjesës së djegur.
5. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë. Flakët kanë përshkuar rreth 20 hektarë sipërfaqe me pyje e shkurre. Nga toka po punojnë 25 forca te armatosura dhe 35 forca te tjera zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe të njësisë administrative. Nga ajri kanë punuar dy helikopteret hollandezë. Aktualisht në pjesën veriore nga kurora e qytetit Pukë zjarri është drejt izolimit. Po punohet në pjesën tjetër të vatrës për të vënë situatën nën kontroll. Por, pavarësisht punës së bërë ditën e sotme, për shkak të kushteve atmosferike rrezikon kalimi i zjarrit në kurorën e qytetit Pukë.
6. Sipas informacionit nga EC F.Arrëz është riaktivizuar vatra e zjarrit në Fletë, ku po punohet për izolimin e saj. Në terren janë rreth 60 punonjës të pyjeve dhe njësisë administrative që po punojnë për shuarjen dhe izolimin e tij, pavarësisht kushteve të terrenit dhe erës së fuqishme, të cilat e bëjnë të vështirë ndërhyrjen. Zjarri rrezikon të kalojë në fshatin Kryezi.
7. Një vatër zjarri është raportuar në sipërfaqe me shkurre në fshatin Martallos në Tepelenë. Në vendngjarje forca të shërbimit zjarrfikës,bashkiake e vullnetarë.
8. Situata u përkeqësua gjatë pasdites në vatrën e zjarrit në fshatin Radat në Dropull, e cila ishte stabilizuar gjatë ditës. Situata mund të rrezikojë banesat. Policia dhe zjarrfikësit kanë marrë masat për sigurimin e banesave. Në ndihmë ka shkuar edhe FA për vënien nën kontroll të situatës.
9. Raportohet riaktivizim i vatrës edhe në pyllin e Shetaj në Durrës, ku gjithashtu po punohet nga zjarrfikësit.
10. Një vatër tjetër zjarri raportohet në fshatin Kocul, në njësinë administrative Vllahinë në bashkinë Selenicë. Zjarri nuk paraqet rrezik.
11. Një zjarr ka përfshirë një pyll me pisha në njësinë administrative Shezë në bashkinë Peqin, por pa rrezik.
12. Në zonën e Porcelanit, në Tiranë ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ku po punohet nga ana e zjarrfikësve për shuarjen e tij.
13. Në lagjen Sauk i Vjetër, mbrapa Pallatit të Brigadave në Tiranë është raportuar një zjarr, për shuarjen e të cilit janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe shërbimet vendore.
14. Një zjarr është raportuar në fushën e Selenicës, në Bekovë, në ara të korrura, pa rrezik.
15. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ah, livadhe dhe kullota në fshatin Kacni dhe Qafë Murrë, njësia administrative Selishte, në Dibër. Po punohet për izolimin e tyre, pavarësisht kushteve të terrenit dhe erës së fuqishme që e bëjnë shumë të vështirë ndërhyrjen.
13 gusht 2021, ora 11.00
6 vatra zjarri janë aktive në të gjithë territorin e vendit, por pa rrezikshmëri për njerëz dhe banesa.
Gjatë natës janë riaktivizuar dy vatra zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Efektivë të FA, të zjarrfikëses, shërbimit pyjor e bashkisë po punojnë për shuarjen e flakëve.
Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë është riaktivizuar, duke djegur sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Aktualisht vatra vazhdon me intensitet të ulët dhe strukturat janë në ndjekje të situatës.
Në Majën e Rrunës, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët. Ditën e sotme ka filluar përsëri operacioni nga ajri dhe me forcat në terren. Situata është në monitorim.
Po ashtu një zjarr ka rënë në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë. Zjarri është shumë larg nga zona e banuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri, ndërsa situata është në ndjekje.
Operacioni nga ajri ka vijuar sot edhe në vatrën e ndezur në një sipërfaqe pyjore me shkurre e pisha, në malin e Tërbunit, bashkia Pukë.
Dy vatra aktive zjarri vijojnë të jenë edhe sot, në një sipërfaqe pyjore me dushqe dhe shkurre, por me intensitet të ulët në fshatin Radat, bashkia Dropull. Edhe aty ka filluar sërish operacioni për shuarjen e flakëve.