
Strukturat e Forcave të Armatosura janë angazhuar maksimalisht në disa zona të vendit për shuarjen e zjarreve. Që prej datës 23 korrik, efektivë të Forcës Tokësore dhe të Forcës Detare janë angazhuar për shuarjen e zjarreve në zonën e Karaburunit, Cakranit në Fier si dhe në Laç, duke sfiduar terrenin dhe temperaturat ekstreme të këtyre ditëve.
Me marrjen e njoftimit të emergjencës së rënies së zjarreve nga Qendra e Bashkuar Operacionale, këto struktura kanë dërguar trupat e gatshme në këto rajone. Në këtë operacion janë përfshirë 100 trupa të pajisura me bazë material të dedikuar për shuarje zjarresh. Ky operacion vazhdon pandërprerë ditën dhe natën, duke freskuar trupat e angazhuara në operacion.
Në gatishmëri për shkak të kësaj situate janë të gjitha repartet Forcave të Armatosura me qëllim përballimin e çdo situate të krijuar nga zjarret. Angazhimi i strukturave të Forcave të Armatosura do të vijojë deri në përmirësimin e situatës së krijuar nga zjarret në të gjithë vendin.