
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc Bajram Begaj priti në një takim kortezie kolonel Fabrice Duda, me rastin e përfundimit të detyrës si atashe ushtarak i Republikës së Francës, i akredituar në Shqipëri, si dhe kolonel Nicolas Coussiere, i sapo emëruar në këtë detyrë.
Gjatë takimit, gjeneralmajor prof.asoc Begaj vlerësoi përpjekjet dhe punën e kolonel Duda, për rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes, gjatë kohës së qëndrimit në detyrë. Gjithashtu, gjeneralmajor Begaj i uroi suksese në detyrën e sapo marrë kolonel Coussiere, duke e garantuar për gatishmërinë e FARSH në thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, e veçanërisht në fushën e arsimimit ushtarak.
Nga ana e tij kolonel Duda pasi shprehu kënaqësinë dhe mbresat gjatë qëndrimit si atashe ushtarak në Shqipëri, falenderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH për mbështetjen e dhënë në kryerjen e detyrës, duke vlerësuar në veçanti nivelin e lartë profesional të ushtarakëve shqiptarë të cilët janë diplomuar në Kolegjin e Luftës në Francë.
Kolonel Coussiere nën cilësinë e marrësit të detyrës, siguroi se bashkëpunimi midis dy zyrave përkatëse do të vazhdojë në të njëjtin nivel dhe intensitet.
Në përfundim të takimit, gjeneralmajor prof. asoc Bajram Begaj, i uroi kolonel Duda suksese të mëtejshme në karrierën ushtarake dhe i akordoi një çertifikatë mirënjohje në shenjë falenderimi për kontributin e tij.