Zhvillohet Kampionati i Pingpongut në Forcat e Armatosura për vitin 2021

Në mjediset e Batalionit të Policisë Ushtarake në Rinas, u zhvillua Kampionati i Pingpongut të Forcave të Armatosura për vitin 2021, ku morën pjesë tetë ekipe, përfaqësuese të komandave të forcave kryesore dhe reparteve autonome FT, FD, FAj, KM, PU, AFA, ASNI, BMbSHPFA.

Në këtë kampionat ekipet u ndanë në dy grupe dhe ekipet e renditura në vendet e para dhe të dyta u kualifikuan në fazën finale. Finalja e kompeticionit, u ndoq nga afër nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, e shoqëruar nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli dhe sekretarja e Federatës së Qitjes, znj. Eda Çaushi.

Pasi falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet sportiv, gjeneralmajore Shehu u shpreh se këto aktivitete sportive janë pjesë e aktivitetit normal të FARSH, por njëkohësisht edhe një komponent organik i përgatitjes profesionale ushtarake. “Unë besoj se është domethënëse që ky aktivitet vjen pas stërvitjes së madhe “Defender 21”, që FA e kurorëzuan me sukses në kuadrin e NATO, kampionatit të futbollit, sukseseve në disa gara ushtarake rajonale dhe shumë aktivitete të tjera. Stërvitja dhe aktivitetet e tjera ushtarake reflektuan dhe demonstruan aftësitë profesionale të ushtarakëve të FA, midis së cilave edhe kondicionin e duhur fizik, duke përballuar me sukses intensitetin dhe kohëzgjatjen e stërvitjeve, apo të aktiviteteve të tjera me kërkesa të larta të përgatitjes fiziko-ushtarake…”, - u shpreh ndër të tjera gjeneralmajore Shehu në përshëndetjen e saj.

Gjithashtu, gjeneralmajore Shehu adresoi një falënderim të veçantë për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe sekretaren e Federatës së Qitjes, të cilët me praninë e tyre në këtë aktivitet sportiv të Forcave të Armatosura tregojnë më së miri mbështetjen, vëmendjen dhe inkurajimin ndaj FA në aktivitetet sportive.

Në përfundim të përshëndetjes së saj, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë, komandantët dhe drejtuesit e strukturave të tyre, si dhe organizatorët e këtij kampionati, për seriozitetin dhe përkushtimin e treguar duke përmbushur me sukses këtë aktivitet.  Në mënyrë të veçantë, gjeneralmajor Shehu uroi të gjithë sportistët tanë që do të marrin pjesë në lojërat olimpike “Tokio 2020”, ku Forcat e Armatosura kontribuojnë me disa prej emrave titullarë, si Luiza Gega, Briken Calja dhe Indrit Çullhaj.






Media Sociale



Moti