

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, priti në një takim pune atasheun ushtarak të Republikës së Turqisë të akredituar në vendin tonë, kolonel Muhammet Kelami Kablay.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi ushtarak dy-palësh në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë në rajon dhe më gjerë në kuadër të misioneve dhe aktiviteteve të NATO.
Midis të tjerave, gjeneralmajor Begaj shprehu falënderimet ndaj Forcave të Armatosura të Turqisë për mbështetjen shumëvjeçare të ushtarakë shqiptarë pjesëmarrës në misionin “Resolute Support Mission – Afganistan” dhe në veçanti, në sigurimin e transportit strategjik për trupat dhe pajisjet e kontingjenteve shqiptarë gjatë dislokimit në Kabul, më së fundmi e konkretizuar edhe gjatë fazës së kthimit në atdhe në përmbyllje të misionit në muajin qershor 2021.
Në përfundim, të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim për thellimin e bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe arsimimit ushtarak, përmirësimit të infrastrukturës logjistike dhe kapaciteteve për përballimin e emergjencave civile, si dhe angazhimeve të përbashkëta në operacionet dhe stërvitjet në kuadër të Aleancës.
Takimi me atasheun ushtarak të Turqisë vjen pas takimit dy-palësh midis shefave të Shtabit të Përgjithshëm të dy vendeve të zhvilluar gjatë konferencës vjetore të shefave të shtabit të vendeve të Ballkanit (BCHOD), në muajin qershor 2021.