Gjeneralmajor prof. asoc. Begaj merr pjesë në ceremoninë e nisjes së Kontingjentit të 9-të EOD, në Letoni

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e përcjelljes së Kontingjentit të 9-të EOD të Batalionit të Xhenios, në operacionin ushtarak të NATO në Letoni, nën drejtimin e Komandës të Grup Batalionit Kanadez, i cili përkon sot edhe me 53-vjetorin e krijimit të armës së xhenios.

Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, SHSHPFA, gjeneralmajor prof. asoc. Begaj pasi falënderoi të pranishmit theksoi se profesionalizmi i treguar, trajnimet me aleatët dhe eksperiencat nga misionet e kaluara, e kanë bërë strukturën EOD një strukturë të besueshme, profesionale dhe specialitet “niche” siç e quan NATO, për Forcat e Armatosura dhe Shqipërinë e aftë të kryejë detyra shumë të vështira.

“Si unë edhe ministri i Mbrojtjes ndihemi krenarë me ju, kur dëgjojmë vlerësimet pozitive nga homologët tanë gjatë takimeve të nivelit të lartë në NATO. Të njëjtën gjë u përcoll edhe nga autoritet letoneze gjatë vizitës së ministrit të Mbrojtjes në Letoni në fillim të muajt qershor. Unë kam besim që dhe personeli i këtij kontingjenti do të jetë në lartësinë e detyrës që i është ngarkuar dhe do të mbajë lart dhe me krenari flamurin kombëtar në Letoni.” - u shpreh ndër të tjera gjeneralmajor Begaj.

Më tej gjatë fjalës së tij, SHSHPFA u ndal dhe në rëndësinë që ka jo vetëm prezenca e kontingjentit, por edhe promovimi i paqes duke dhënë një mesazh të qartë ndaj kundërshtarëve të NATO për gatishmërinë e Shqipërisë për përmbushjen e Nenit 5 të NATO-s. “Imazhi juaj, realizimi i detyrave që nga ato rutinë dhe operacionale kërkojnë një vëmendje të shtuar, gatishmëri të lartë dhe profesionalizëm.” 

Gjeneralmajor prof. asoc. Begaj gjithashtu adresoi një falënderim të veçantë për të gjithë burrat dhe gratë që kanë shërbyer në këto njësi dhe respekt pafund për ata heronj që kanë rënë në krye të detyrës për të na bërë ne më të sigurt.  

Duke përfunduar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaji i siguroi ata dhe familjarët e tyre se do të kenë në çdo çast mbështetjen dhe përkujdesjen e Shtabit të Përgjithshëm të FA, por edhe të tijën personalisht, për të arritur rezultatet më të mira në përmbushjen e misionit të tyre dhe u uroi suksese dhe kthim shëndosh e mirë në atdhe. 

 

 






Media Sociale



Moti