
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, priti në një takim kortezie ambasadorin e Japonisë, të akredituar në vendin tonë, sh.t.z. Mitsuyuki Takada.
Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit diskutuan për qasjen e përbashkët që kanë të dy vendet ndaj sfidave të sigurisë duke qenë partnerë në kuadër të aleancave me vlera demokratike perëndimore, si dhe ndanë të njëjtat mendime lidhur me kërcënimet dhe rreziqet e reja me të cilat përballen vendet dhe rolin që duhet të kenë Forcat e Armatosura për përballimin e tyre.
SHSHPFA, gjeneralmajor prof. asoc. Begaj e falenderoi ambasadorin Takada për përpjekjet e tij në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, si dhe vlerësoi kontributin e Japonisë me projekte rindërtimi në operacionet e drejtuara nga aleanca e NATO, veçanërisht në Afganistan. Ambasadori i Japonisë vlerësoi rolin e Shqipërisë në sigurinë e rajonit dhe më gjerë, duke nënvizuar mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Në përfundim të takimit gjeneralmajor Begaj pasi i uroi ambasadorit Takada suksese në detyrën e tij, e siguroi atë mbi gatishmërinë e FARSH për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit dy-palësh në fushën e mbrojtjes, kryesisht në përballimin e emergjencave civile.
Z. Takada mori detyrën e ambasadorit të Japonisë në Shqipëri në muajin nëntor 2020 dhe është ambasadori i dytë pas hapjes së Ambasadës së Japonisë në janar 2017.