

Në mjediset e Garnizonit “Skënderbej”, në Ministrinë e Mbrojtjes, u zhvillua Kampionati i Futbollit të Forcave të Armatosura për vitin 2021, ku morën pjesë tetë ekipe, përfaqësuese të komandave të forcave kryesore dhe reparteve autonome (FT, FD, FAj, KM, PU, AFA, ASNI, BMbSHPFA).
Kampionati i futbollit është një aktivitet sportiv i përvitshëm, i cili përveç rëndësisë që ka në përgatitjen fizike të trupave, përcjell dhe mesazhin “Miqësi nëpërmjet Sportit” (Friendship through Sport).
Në këtë kampionat ekipet u ndanë në dy grupe dhe ekipet e renditura në vendet e para dhe të dyta u kualifikuan në fazën finale. Finalja e kompeticionit, e cila u ndoq nga afër nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, e shoqëruar nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Arben Kingji, si dhe drejtorë drejtorish në SHP, u luajt ndërmjet Policisë Ushtarake dhe Forcës Tokësore, ku Forca Tokësore fitoi me meritë me rezultatin 1 – 0 dhe u shpall “Kampion” i Kampionatit të Futbollit në FA, për vitin 2021.
Në përshëndetjen e saj drejtuar pjesëmarrësve në këtë aktivitet sportiv, gjeneralmajor Shehu vuri theksin se këto aktivitete i shërbejnë rritjes së frymës së kolektivitetit dhe shpirtit të garës, tipare këto që karakterizojnë Forcat e Armatosura, për arritjen e synimeve dhe objektivave për realizimin e detyrave. Më tej, zëvendësshefja e SHP të FA përshëndeti në veçanti fituesit e këtij kompeticioni, por edhe sportistët e përzgjedhur për krijimin e ekipit përfaqësues në FA, në kompeticionet e ardhshme brenda dhe jashtë vendit. “Ky aktivitet tregon më së mirë se sporti i shërben forcimit të miqësisë midis ushtarakëve, rritjes së ndjenjës së bashkëpunimit dhe respektit ndaj njëri – tjetrit, por edhe më gjerë. Futbolli është lojë që harmonizon më së miri përfitimin e cilësive të forcës, rezistencës shpejtësisë si dhe aftësive që ushtaraku duhet të zotërojë për përballimin e stresit mendor dhe emocional në stërvitje, detyrë, operacion”, – u shpreh ndër të tjera gjeneralmajor Shehu.
Vendin e parë në kampionatin e futbollit të FARSH për vitin 2021 e fitoi ekipi i komandës së Forcës Tokësore, ndërsa vendin e dytë e zuri Policia Ushtarake si dhe dy vendeve të treta Forca Detare dhe Komanda Mbështetëse.
Në këtë aktivitet sportiv u shpërndanë certifikata dhe medalje për arbitrat dhe asistentët që drejtuan ndeshjet e futbollit midis ekipeve pjesëmarrëse si dhe medalje për lojtarët dhe ekipet fituese pjesëmarrës në këtë kampionat.