
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj mori pjesë në Konferencën e 14-të të Shefave të Shtabit të Vendeve Ballkanike (BCHOD) të organizuar në Sarajevë, Bosnjë.
Përveç delegacioneve nga nëntë vendet ballkanike anëtare të iniciativës, të ftuar në këtë takim ishin edhe shefat e Shtabit të Kroacisë dhe Sllovenisë, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, zëvendëskomandanti i Komandës së Bashkuar të NATO në Napoli, si dhe përfaqësues nga Komiteti Ushtarak i Bashkimit Evropian.
Në konferencë u prezantuan dhe miratuan raportet vjetore të Grupit të Koordinimit, Nëngrupit të Punës mbi Kërcënimet Asimetrike dhe Nëngrupit të Punës së Edukimit, Trajnimit dhe Stërvitjes. Në përfundim të konferencës u nënshkrua një deklaratë e përbashkët nëpërmjet së cilës shefat e shtabeve riafirmuan vendosmërinë e tyre për të forcuar bashkëpunimin midis Forcave të Armatosura.
Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Bajram Begaj zhvilloi takime të veçanta me homologët e Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku u diskutua mbi planet e bashkëpunimit dypalësh midis Forcave të Armatosura të vendeve respektivë.
Konferenca e shefave të Shtabit të Ballkanit është një iniciativë rajonale vjetore me bazë rotacioni, e themeluar në vitin 2007 në të cilën marrin pjesë Bosnjë -
Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Shqipëria dhe Turqia.
Qëllimi kryesor i këtij forumi është rritja e bashkëpunimit ushtarak në të gjitha nivelet dhe përmirësimi i kapaciteteve të shteteve të rajonit në mënyrë që ata të mund t’ iu përgjigjen respektivisht rreziqeve potenciale me natyrë asimetrike dhe krizave me origjinë joushtarake.