“Defender Europe 21” ndalet në Tiranë

Pas turit në disa qytete, stërvitja “Defender Europe 21” është ndalur në Tiranë. Qytetarët patën mundësi të shohin nga afër, në sheshin “Nënë Tereza” helikopterët “Black Hawk”, mjetet e blinduara dhe demonstrime të ndryshme të efektivëve amerikanë e shqiptarë.

Pas ekzekutimit të dy himneve, atij shqiptar dhe amerikan, fjalën e hapjes e mori shefi i Përgjithshëm të Shtabit të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj.

Ai shprehu angazhimin e ushtarakëve shqiptarë për t’u gjendur pranë qytetarëve në çdo situatë. Ai siguroi dhe aleatët e NATO se FA janë të gatshme të qëndrojnë krah për krah me aleatët në çdo angazhim. “Mirënjohje për aleatin tonë strategjik SHBA, i garantoj ata dhe gjithë aleatët e NATO se ushtarakët shqiptarë do të jenë të gatshëm për çdo angazhim dhe çdo mision sa herë të kërkohet nga aleatët dhe Aleanca dhe të autorizohet nga autoritetet e vendit. Ne do të jemi garantë me besën dhe besnikërinë e shqiptarit, me vullnetin dhe profesionalizmin ushtarak për të qëndruar krah për krah me kolegët tanë amerikanë dhe të Aleancës dhe në situata më të vështira”, - deklaroi gjeneralmajor Bajram Begaj.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u bëri thirrje të rinjve që të shohin Forcat e Armatosura si një "mundësi të artë" për karrierë. Ministri Peleshi tha se "Defender 21" ka qenë mundësia më e madhe edhe për të testuar kapacitetet ushtarake të vendit tonë. "Sot është një ditë e hapur e stërvitjes Defender 21, më e madhe e zhvilluar në dekadën e fundit në Ballkanin Perëndimor. Sot e kemi sjellë këtë stërvitje në zemër të Shqipërisë në zemër të Tiranës, për ta sjellë atë para qytetarëve e për të treguar përmasën civile që e gjithë përpjekja jonë ushtarake ka, si Shqipëri, si aleate e NATO dhe përkrah SHBA. Kjo përpjekje ka për qëllim të mbajë paqen, të forcojë demokracinë, të na bëjë të flemë të qetë e të jemi më të sigurt për të ardhmen. U kemi dhënë sot mundësi qytetarëve që ta prekin me dorë se çfarë do të thotë të jesh krenar që je shqiptar. Pas 12 vitesh anëtarësi në NATO, sot ka qenë mundësia më e madhe e historisë tonë për të testuar veten dhe kapacitetin tonë. U bëj ftesë të rinjve ta shohin në karrierën e tyre si një mundësi të artë pjesëmarrjen pranë Forcave të Armatosura", - tha z. Peleshi.

VIDEO

Ambasadorja amerikane Yuri Kim nënvizoi se marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA do të jetë mbi çdo gjë. “Si miq dhe aleatë, ushtarët amerikanë dhe shqiptarë kanë qenë në krah të njëri-tjetrit në konflikte të shumta, nga Kosova në Afganistan, në Irak dhe më gjerë. Dhe e dimë nga ato përvoja që Amerika ka një mike të vërtetë dhe të guximshme tek Shqipëria.

“Defender 21” hap një rrugë të re entuziazmuese për një bashkëpunim më të madh strategjik. Kjo rrugë do të shohë që ushtarët amerikanë do kthehen në Shqipëri për të stërvitur, për të ndërtuar partneritete dhe për të bërë miq për jetë. Unë besoj se suksesi i “Defender 21” pasqyron angazhimin e udhëheqësve dhe të popullit të Shqipërisë.”, - u shpreh diplomatja Yuri Kim.

Teksa vlerësoi ushtarakët dhe përgëzoi ambasadoren e SHBA për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e kapaciteteve në mbrojtje dhe në drejtësi, kryeministri Edi Rama deklaroi se misioni tjetër i përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA do të jetë rritja e kapaciteteve njerëzore të Forcave të Armatosura. “Besimi që SHBA kanë treguar në vijim tek ky partneritet dhe tek kjo aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake, “DefenderEurope 21”, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe, me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë. Kam shumë besim dhe bazuar në bisedat me gjeneralët, që na nderuan me praninë e tyre me hapjen e kësaj stërvitjeje, por dhe me bashkëbisedimin e vazhdueshëm me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara se ne do të mund të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të Forcave tona të Armatosura, duke krijuar kështu një hapësirë shumë më tërheqëse edhe për ta materializuar atë thirrje që bëri ministri i Mbrojtjes për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë do ta shohin adresën e forcave të Armatosura si një mundësi të artë për formimin dhe për jetën e tyre pas shkollimit”, - deklaroi kryeministri. Z. Rama theksoi se krijimi në Shqipëri i një kapaciteti të ri akademik në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore të Forcave tona të Armatosura, në partneritet me SHBA-të, është objektiv dhe misioni i përbashkët i qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe i përfaqësisë së Shteteve të Bashkuara këtu në vendin tonë.

Presidenti Ilir Meta tha se operacionet e trupave shqiptare me ato amerikane kanë qenë të suksesshme dhe janë realizuar të gjithë objektivat. “Mbështetja dhe shkëmbimi i eksperiencave mes forcave tona dhe forcave të Amerikës do t’i shërbejë rritjes së kapaciteteve tona mbrojtëse në të ardhmen. Shpreh falënderimet më të përzemërta për kontributin dhe mbështetjen e SHBA dhe vendeve të tjera që zgjodhën vendin tonë si vend pritës për organizimin e kësaj stërvitje të rëndësishme. Si një vend anëtar i NATO ne jemi një vend mjaft i vlerësuar për këtë fakt. NATO është aleanca më e madhe e lirisë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj është unanime ashtu sikundër edhe vokacioni ynë evropian”, - nënvizoi z.Meta.

“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore. Rreth 28 mijë mijë trupa nga SHBA, por edhe nga vendet e tjera, aleate të NATO, po demonstrojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar si aleatë ushtarakë.






Media Sociale



Moti