Gjeneralmajor prof. asoc. Begaj merr pjesë në aktivitete në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 21”, në Durrës dhe Kuçovë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, mori pjesë në Ditën e Hapur të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 21” në Durrës dhe së bashku me ambasadoren amerikanë znj. Yuri Kim në një vizitë inspektuese në Kuçovë. 

Në aktivitetin në Durrës, i cili u zhvillua në sheshin “Iliria” morën pjesë gjithashtu kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Ani Sako, prefekti i Qarkut Durrës, z. Roland Nasto, ushtarakë të lartë dhe qytetarë e nxënës shkollash të qytetit, etj.

Në përshëndetjen e tij në aktivitetin “Ditë e Hapur”, të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 21", gjeneralmajor prof. asoc. Begaj pasi falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet, u shpreh ndër të tjera: ”Unë besoj se publiku ynë është njohur nga media me atë çka po ndodhë në fushën ushtarake në Shqipëri. Dhe ky nuk është vetëm një demonstrim vullneti e aftësie i aleatit tonë strategjik dhe Aleancës për sigurinë dhe mbrojtjen kolektive.” 

Gjatë fjalës së tij, gjeneralmajor prof. asoc. Begaj iu drejtua edhe të rinjve dhe rejave të pranishëm në këtë event, të cilët përjetojnë më shumë se kushdo, emocione dhe ndjesi të veçanta kur shikojnë një bashkëpunim dhe ndërveprim kaq të ngushtë të forcave tona me ato amerikane,  Ai vuri theksin te vlerat e veçanta që ka shërbimi në FA sot, kur jemi pjesë e Aleancës dhe përkrah aleatëve të mëdhenj. “Këto vlera dhe rëndësi do t’i shprehja duke cituar sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg, kur ju drejtua të rinjëve në Samitin Rinor për vizionin NATO 2030: “Ju - liderët e të nesërmes,… - keni rolin më të madh në sigurinë tonë të përbashkët. NATO 2030 është shansi që ju të rriteni, të ruani të ardhmen tuaj, lirinë tuaj, Aleancën tuaj”, - u shpreh gjeneralmajor prof. asoc. Begaj.

Ndërsa në Kuçovë, SHSHP i FA gjeneralmajor Bajram Begaj sëbashku me ambasadoren amerikane znj. Yuri Kim inspektuan trupat amerikane të vendosura në Bazën Ajrore të Kuçovës. Përveç takimeve me ushtarakët e Batalionit të 21 amerikan, titullarët vizituan ambientet e bazës ajrore dhe u njohën për projektet e NATO-s në këtë bazë.  

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj adresoi një falënderim të veçantë për ushtarakët amerikanë për praninë e tyre dhe bashkëpunimin me ushtarakët shqiptarë në drejtim të ndërveprimit dhe gatishmërisë. 

Aktivitetet në kuadër të stërvitjes "Defender Europe 21" do të vijojnë me Ditën e Hapur në Vlorë më datë 21 maj, në Tiranë më datë 23 maj dhe në Kuçovë më datë 25 maj 2021. 

 






Media Sociale



Moti