Mblidhet Komiteti Ushtarak i NATO në Bruksel, Belgjikë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj i shoqëruar nga përfaqësuesi ushtarak i RSH në NATO gjeneralmajor Nazmi Cahani, mori pjesë në takimin e radhës së Komitetit Ushtarak të NATO-s, të zhvilluar në Komandën e Aleancës Bruksel, Belgjikë.

Në këtë takim të drejtuar nga kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO, marshall sir Stuart Peach morën pjesë shefat e e shtabeve të vendeve të Aleancës, të cilët diskutuan misionet dhe operacionet e Aleancës, konceptet strategjike të Mbrojtjes së hapësirës euroatlantike, si dhe sfidat në përballjen me rreziqet e kërcënimet në 20 vitet e ardhshme. Fokusi kryesor u përqendrua në modernizimin e Aleancës, planifikimin ushtarak, operacionet e NATO-s si dhe në marrëdhëniet me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar Komitetit Ushtarak, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u shpreh se Samiti i NATO-s në qershor, do të jetë një mundësi unike për të provuar në të ardhmen Aleancën tonë, për të gjallëruar lidhjen transatlantike dhe për të demonstruar angazhimin tonë për solidaritetin transatlantik, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra.

Në sesionin I të takimit, shefat e shtabeve u informuan mbi situatën më të fundit të angazhimeve të NATO-s dhe diskutuan për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Me tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani, shefat e Shtabeve të Aleancës shkëmbyen mendime mbi progresin dhe marrëdhëniet e ardhshme NATO - Afganistan. Duke ripërsëritur kohezionin në qëndrimin e tyre të gjithë shefat e shtabeve që morën fjalën konfirmuan mbështetjen për misionet dhe operacionet dhe qasjen e pandryshueshme në lidhje me vendimmarrjen e ardhshme të përbashkët.

Lidershipi ushtarak i vendeve të Aleancës konfirmoi se prova e parë e madhe e Aleancës dhe Strukturës së Komandës së saj të adaptuar, është stërvitja madhore “Steadfast Defender 21”, me pjesëmarrjen e më shumë se 20 aleatëve nga Amerika e Veriut dhe Evropa. Kjo stërvitje do të ndihmojë në përmirësimin e gatishmërisë dhe ndërveprimin e forcave aleate dhe praktikimin e lëvizshmërisë ushtarake në të gjithë Evropën. 

Në sesionin II të takimit u diskutuan propozimet mbi mbështetjen ushtarake të NATO deri në vitin 2030, si dhe konceptet strategjike ushtarake nën zhvillim që lidhen me shkurajimin dhe mbrojtjen e zonës euroatlantike dhe kapacitetet luftarake të Aleancës. Gjithashtu, shefat e Shtabeve të Aleancës shprehën vlerësimin e tyre për kontribution e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në misionet e NATO-s si dhe rolin e tyre në sigurinë në rajonin e Detit të Zi.

Komiteti Ushtarak i NATO në nivel shefash shtabi mblidhet tre herë në vit për të diskutuar mbi misionet dhe operacionet e NATO, si dhe për t’i ofruar Këshillit të Atlantikut të Veriut, këshillën ushtarake mbi një sërë sfidash që kërcënojnë sigurinë globale. Gjatë këtij aktiviteti shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Begaj zhvilloi takime edhe me personelin e Përfaqësisë.

 






Media Sociale



Moti