Urim i SHSHPFA në 70 - Vjetorin e Krijimit të Aviacionit Ushtarak

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, me anë të një mesazhi, ka uruar pilotët, ushtarakët aktivë dhe në rezervë dhe civilë të Forcës Ajrore, në 70 - Vjetorin e Krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar, si më poshtë vijon:

 

“Të nderuar pilotë, ushtarakë aktivë e rezervë dhe civilë të Forcës Ajrore! 

Ky 24 Prill, shënon 70 - Vjetorin e Krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Në këto shtatë dekada, me përkushtim, djersë dhe sakrifica sublime e të jashtëzakonshme, aviacioni ynë ka shkruar një histori të lavdishme. Misioni ushtarak i tij, por veçanërisht angazhimi dhe kontributi i pazëvendësueshëm e fisnik ndër vite për komunitetin dhe jetën e njerëzve të thjeshtë në situata emergjence, në kohë të vështira dhe kritike, në fatkeqësi dhe nevojë, në ndihmë e në shpëtim jetësh, e ka bërë aviacionin tonë ushtarak dhe pilotët e tij, nga njerëzit më të dashur, të nderuar dhe të adhuruar në popull, dhe historinë e tij, pjesë të historisë tonë kombëtare. 

Arma e Aviacionit Ushtarak dhe shërbimi në të është fisnik, është krenari, por sfidues, i vështirë dhe me kërkesa e rreziqe të përhershme e të paparashikuara. Dëshmorët e shumtë të saj janë dëshmia e këtyre vështirësive e rreziqeve, por edhe e përkushtimit, dashurisë, kurajës dhe guximit të këtyre profesionistëve. 

Forca Ajrore dhe Aviacioni i saj Ushtarak, sikurse gjithë Forcat e Armatosura, ka kaluar në procese të domosdoshme dhe të nevojshme reformimi, transformimi dhe zhvillimi, në kuadër të angazhimeve kombëtare euro-atlantike dhe anëtarësimit në NATO. Siguria për modernizimin dhe zgjerimin e flotës së helikopterëve dhe të elementëve të tjerë të Forcës Ajrore, konsolidimi dhe intensifikimi i përgatitjes profesionale të pilotëve, me mbështetjen edhe të aleatëve tanë, do ta bëjë atë një forcë më të fuqishme, më efikase dhe më operacionale. 

Në këtë përvjetor, homazhi i parë i nderimit shkon për ata që kanë sakrifikuar jetën në Armën e Aviacionit Ushtarak, dhe një mesazh i veçantë respekti e mirënjohje për të gjithë aviatorët, personelin inxhiniero - teknik, ushtarak e civil të kësaj arme ndër vite, që me punën dhe përkushtimin, pasionin dhe dashurinë e treguar, e kthyen atë, por edhe figurën e tyre, në një monument krenarie për gjithë Forcat e Armatosura dhe shprese e besimi për të gjitha komunitetet në kohë të vështira dhe nevoje.

Edhe në këto kohë të sfidës së madhe kombëtare me pandeminë virusale, pilotët tanë, kudo që ata shërbejnë, vazhdojnë të gjenden dhe t’iu përgjigjen kërkesave dhe emergjencave të kësaj situate të jashtëzakonshme. Kjo gjendje e bën edhe kujtimin e këtij përvjetori të veçantë dhe të kufizuar përmes shprehjes së urimeve më të mira për të gjithë veteranët, aviatorët aktivë e rezervë, ushtarakë dhe civilë të Forcës Ajrore. 

Gëzuar 70 - Vjetorin dhe suksese në misionin e detyrat tuaja fisnike!

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH

Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj

 






Media Sociale



Moti