SHSHPFA gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, intervistë në VOA për stërvitjen “Defender Europe 21”, e cila fillon më datë 26 prill në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit e më gjerë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, në një intervistë me gazetarin Ilirian Agolli, dhënë për Zërin e Amerikës (VOA), ka shpjeguar përmasat dhe qëllimet e stërvitjes “Defender Europe 21”, si stërvitja shumëkombëshe më  madhe e zhvilluar ndonjëherë në rajonin tonë jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes, por edhe për shkak të rëndësisë së saj. Nga përmasat mund të flasim në nocionin gjeografik: kjo stërvitje përfshin një territor mjaft të gjerë që nga Afrika e deri në Europë, por në vijë frontale përfshin vendet e Europës Veriore nga Balltiku, Deti i Zi dhe Ballkani Perëndimor. Përfaqësimi në këtë stërvitje do të jetë me prezencë të madhe trupash, si dhe do të jenë të pranishëm edhe 26 vende anëtare të NATOs dhe partnerë”, - u shpreh gjeneralmajor prof. asoc. Begaj ndër të tjera në intervistë.

Më tej gjatë intervistës, SHSHPFA theksoi rëndësinë që ka për vendin tonë ky eveniment ushtarak, pasi Komanda Amerikane e Europës dhe Afrikës organizon këtë stërvitje për herë të parë në rajonin. “Me këtë vlerësim SHBA shprehin vendosmërinë, aftësinë, sigurinë dhe janë garant i sigurisë dhe mbrojtjes së Europës Qendrore, Veriore dhe për rajonin tonë delikat të Ballkanit Perëndimor.”, u shpreh gjeneralmajor prof.asoc Begaj.

I pyetur se çfarë synon kjo stërvitje, e cila kërkon dhe një bashkërendim midis shumë kombeve, SHSHPFA u shpreh ndër të tjera se kjo stërvitje përveç planeve dhe komunikimit strategjik që bën në vetvete, është e rëndësishme edhe për faktin që rrit dhe teston aftësinë dhe gatishmërinë operacionale të forcave aletate, si dhe mundëson komunikimin dhe ndërveprueshmërinë midis trupave nga vende të ndryshme për të vepruar në nivelin taktiko operacional, si dhe synohet përdorimi efektiv i kapaciteteve të përbashkëta në këtë stërvitje të madhe.

Gjeneralmajor prof. asoc Begaj, i pyetur për pjesën dhe rolin që ka marrë përsipër FA shqiptare , u shpreh se “Ne falënderojmë aleatin tonë strategjik SHBA , që na përzgjodhën si vend mikpritës i stërvitjes. Kjo dëshmon një akt besimi që SHBA kanë për Shqipërinë dhe FARSH. Ne do të marrim pjesë me mjete dhe forca tokësore, detare, ajrore dhe do të ketë pjesëmarrje nga struktura  të tjera mbështetjes, komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike. Ne do të testojmë kapacitetet tona infrastrukturore, mbështetëse dhe logjistike, koordinuese dhe bashkëpunuese me institucionet e tjera civile në vend…”

Në përmbyllje të intervistës me gazetarin Agolli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, u shpreh se zhvillimi i kësaj stërvitjeje me aleatin tonë strategjik SHBA, tregon më së miri vlerësimin e opinionit publik si dhe vlerësimin e vendeve të Aleancës që përfshihet në raportin vjetor të sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Stoltenberg, i cili shprehet që 79% të qytetarëve vlerësojnë bashkëpunimin e Amerikës së Veriut me Europën në çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes si shumë të rëndësishëm.” Zhvillimi dhe bashkëpunimi i kësaj stërvitje në vendin tonë tregon që aleati ynë strategjik ka besim tek Shqipëria, ka besim te Forcat Tona të Armatosura dhe vlerëson kapacitetet tona ushtarake si të afta dhe dëshmojmë se jemi një vend anëtar i denjë i Aleancës së NATO…”.

Linku i intervistës së plotë së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për Zërin e Amerikës (VOA).






Media Sociale



Moti