Forcave të Armatosura u shtohen 141 rekrutë të rinj, të cilët sapo përfunduan kursin e Stërvitjes Individuale në Qendra e Arsimit Profesional të Ushtarëve, Bunavi, Vlorë

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjeneralmajor prof. asoc Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 141 rekrutëve të rinj të Kursit të Stërvitjes Individuale në Qendra e Arsimit Profesional të Ushtarëve, Bunavi, Vlorë. Në ceremoninë e certifikimit ishin të pranishëm gjithashtu komandanti i Akademise së Forcave të Armatosura gjeneral brigade Albert Mullaj, dhe drejtorë drejtorish në SHP.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, në përshëndetjen e veçantë drejtuar kursantëve u shpreh se: ”Kam ardhur me një interes të veçantë sot këtu dhe kjo është për disa arsye. E para, sepse është një ditë e veçantë për ju, efektivët e ushtarëve të rinj, që përfunduat përgatitjen tuaj individuale dhe do të betoheni si ushtarakët më të rinj të Forcave të Armatosura; e dyta se këtë stërvitje e keni kryer në kushte të vështira, të pandemisë së COVID-it dhe e treta, sepse ju e nisni rrugëtimin tuaj në shërbimin fisnik të ushtarit në forcën ushtarake të vendit tuaj, në prag të stërvitjes më të madhe ushtarake të SHBA dhe aleatëve të NATO-s, ku merr pjesë vendi ynë dhe Forcat tona të Armatosura, “Defender Europe 21”.

Më tej gjeneralmajor prof. asoc Begaj, i siguroi ata se, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që ka krijuar pandemia, Forcat e Armatosura do të kenë vëmendje të veçantë dhe zhvillime pozitive gjatë këtij viti e në vijim. “Ju do të keni mundësi të merrni eksperienca të reja, që nesër t’ju mundësojnë ta gjeni veten edhe në radhët e nënoficerëve dhe oficerëve të ardhshëm. Në vështrim të përbërjes tuaj, ku të paktën 10% janë vajza, duke vlerësuar me konsiderata të veçanta ambicien dhe pasionin e tyre për profesionin ushtarak, do të theksoja që kjo është domethënëse dhe na bënë të gjithëve të ndjehemi më optimist për perspektivën e Forcave të Armatosura”. 

Duke përfunduar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, gjeneralmajor prof. asoc Bajram Begaj u shpreh besimplotë për dinamizmin dhe gjallërinë që ushtarët e rinj do i japin punës aty ku do të shërbejnë, si dhe  risolli në vëmendje kujdesin maksimal për zbatimin e masave për ruajtjen nga COVID-19.

Për rekrutët, të cilët gjatë kursit janë dalluar për arritje të larta në disiplinë, në stërvitje si dhe në jetën e përditshme në repart, u ndanë certifikatat vlerësimi. 

Kursi i Stërvitjes Individuale Bazë në Qendra e Arsimit Profesional të Ushtarëve në Bunavi, Vlorë filloi më 03 mars 2021 dhe përfundoi më 19 prill 2021, ku 141 rekrutë të rinj përfunduan me sukses këtë kurs, nga të cilët  14 ishin vajza.






Media Sociale



Moti