Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj pret në takim ekspertë ushtarakë të Gardës Kombëtare të New Jersey

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj priti në një takim të veçantë dy ekipet e ekspertëve ushtarakë të Gardës Kombëtare të New Jersey, të shoqëruara edhe nga atasheu i SHBA dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkëpunimit të SHBA në fushën e Mbrojtjes. 

“Modernizimi i Forcës Ajrore me helikopterët Black Hawk nga SHBA dhe vijimi i punës për kompletimin e b2k me mjete të blinduara është tregues i qartë i partneritetit strategjik midis dy vendeve dhe asistencës që SHBA ka dhënë dhe vijon të japë për Shqipërinë. Projektet e asistencës së SHBA për modernizimin e FARSH konsiderohen si paketa të plota kapaciteti, të cilat përfshijnë jo vetëm pajisjet, por edhe mirëmbajtjen e tyre dhe trajnimin e personelit përdorues, duke ofruar garanci afatgjatë në operacionalitetin e forcave.” - u shpreh ndër të tjera gjatë takimit gjeneralmajor Begaj.

Ekspertët e ekipeve të Gardës Kombëtare të New Jersey siguruan shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA se janë të gatshëm të rrisin nivelin e asistencës në fushën e trajnimit të personelit pilot dhe mirëmbajtës të teknikës ajrore.

Në përfundim shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj falënderoi Zyrën e Bashkëpunimit të SHBA në fushën e Mbrojtjes për rolin dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur modernizimin e FARSH me projekte konkrete. 

Ekipet e Gardës Kombëtare të New Jersey gjatë kësaj jave kanë kryer vizita pune në Komandën e Forcës Ajrore dhe Forcës Tokësore lidhur me projektet e modernizimit të FARSH me helikopterët UH-60A Black Hawk dhe mirëmbajtjes së mjeteve të blinduara HMMWV të dhëna nga pala amerikane në kuadër të asistencës në fushën e Mbrojtjes. 

Gjatë ardhjes në Shqipëri, ekipet së bashku me trupa të tjerë ushtarakë të SHBA pjesëmarrës në stërvitjen “Defender 21” u pritën në aeroportin “Nënë Tereza” nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj dhe ambasadorja e SHBA Juri Kim.

 






Media Sociale



Moti