SHSHPFA takim me strukturat e Komandës së Forcës Tokësore

 

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në turin e takimeve në kuadër të ristrukturimit të Forcave të Armatosura, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, i shoqëruar edhe nga Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Arben Kingji, ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me strukturat e Komandën e Forcës Tokësore. Në aktivitet morën pjesë edhe Komandantët e Forcave dhe njësive kryesore të FARSH-it

Pasi i ka falënderuar për përkushtimin dhe përgjegjësinë e treguar në realizimin e detyrave dhe objektivave kudo dhe kurdoherë që është kërkuar, u shpreh se: ”Rikthehem sot këtu, pas disa takimeve në disa struktura të FT, por edhe të FA, për të konfirmuar se ndryshimet dhe riorganizimet strukturore të kryera në disa formacione ushtarake të FT, besojmë se do të përmirësojnë dhe rrisin efektivitetin operacional dhe funksional të tyre. Profesionalizëm, sakrificë, sfidë, unitet dhe kohezion-këto janë parimet dhe cilësitë që kërkohen për të konsoliduar strukturën dhe forcën tuaj dhe për të siguruar suksesin në kryerjen e detyrave të vështira në misione, operacione, stërvitje dhe çdo aktivitet tjetër ushtarak.”

Më tej gjatë fjalës së tij, gjeneralmajor prof. asoc Begaj duke u ndalur në këto ndryshime vuri theksin se ato i shërbejnë reformimit të mëtejshme të Forcave tona të Armatosura, bazuar edhe  në mësimet e nxjerra si anëtar i Aleancës dhe kontribues në misionet e operacionet e saj.

“Ndryshimet e kryera janë edhe një reformim i mëtejshëm i  forcës tonë ushtarake, bazuar edhe Vet NATO, gjatë vitit 2020, sikurse shprehet Sekretari i Përgjithshëm në raportin vjetor të këtij viti, ka bërë ndryshime të strukturës organizative të komandës së saj, për ta përshtatur atë me një mjedis të sigurisë në ndryshim të shpejtë dhe të vazhdueshëm”.

Procesi i konsolidimit të funksionimit të strukturës së re organizative të Forcës Tokësore koincidon edhe me zhvillimin e stërvitjes “Defender Europe - 21” dhe Forcat e Armatosura shqiptare janë në përgatitje intensive jo vetëm në planin ushtarak por edhe në nivel kombëtar. ”Kjo stërvitje, ku marrin pjesë edhe disa vendeve të tjera të Aleancës, është një demonstrim i aftësisë dhe vullnetit të SHBA për angazhimin në mbrojtjen e aleatëve evropian në kuadrin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive. Në këto kushte, ky është më shumë se një eveniment ushtarak që kërkon dhe meriton vëmendje, përgjegjësi, përkushtim dhe angazhim maksimal profesional, dhe jo vetëm...’ theksoi gjeneralmajor Begaj. 

Forca Tokësore – u shpreh më tej gjeneralmajor Begaj - mbanë peshën kryesore, më shumë se të konsiderueshme, të pjesëmarrjes dhe angazhimit ushtarak të vendit tonë në këtë stërvitje. Ky është një rast i veçantë për të përfituar eksperienca dhe përvoja të vlefshme në angazhime të tilla të mëdha, por edhe një detyrim dhe përgjegjësi për përgatitje të gjithanshme serioze për një përfaqësim dinjitoz të aftësive operacionale e profesionale të të gjithë forcave tona pjesëmarrëse në këtë lëvizje masive të aleatëve”. 

Në vijim të fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc Bajram Begaj u shpreh besimplotë në përgjegjësinë, aftësinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e kësaj strukture dhe risolli në vëmendje faktin se Forca Tokësore ka mbajtur dhe do të vazhdojë të mbajë edhe ngarkesën më të madhe të përmbushjes së detyrave për nevojat e brendshme të vendit por edhe për detyrimet euro-atlantike të tij.

Në përfundim të fjalës së tij në këtë takim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj i siguroi ata se veçanërisht Forca Tokësore, por edhe Forca e Armatosur, do të kenë një vëmendje të shtuar për mbështetje, përmirësime cilësore dhe motivime të tjera domethënëse.






Media Sociale



Moti