SHSHPFA inspektoi Bazën Detare Pashaliman

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, inspektoi Bazën Detare Pashaliman, në kuadër të zhvillimit dhe angazhimit të Forcave të Armatosura në stërvitjen “Defender Europe 21”.

Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, i shoqëruar edhe nga komandanti i Komandës Detare, gjeneral brigade Ilir Xhebexhia, pasi vlerësoi efektivat e Bazës Detare për përmbushjen me sukses të detyrave, angazhimin e vazhdueshëm të tyre në ndihmë të komunitetit gjatë emergjencave civile, ndau me ta momente të caktuara të zhvillimit dhe angazhimit të Forcave të Armatosura në përgatitjet e stërvitjes “Defender Europe 21”.

“Kanë filluar dhe janë në proces, jo vetëm në planin ushtarak, por edhe në atë kombëtar, përgatitjet për zhvillimin e stërvitjes “Defender Europe 21”. Stërvitja është një demonstrim i aftësisë dhe vullnetit të SHBA për angazhimin në mbrojtjen e aleatëve evropianë në kuadrin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive. Në këtë stërvitje të madhe përfshihet edhe vendi ynë dhe Forcat tona të Armatosura, krahas disa vendeve të tjera të Aleancës. Në këto kushte, ky është më shumë se një eveniment ushtarak që kërkon dhe meriton vëmendje, përgjegjësi, përkushtim dhe angazhim maksimal profesional, dhe jo vetëm...”, theksoi gjeneralmajor prof. asoc. Begaj.

Më tej SHSHPFA u ndal në vëmendjen dhe vlerësimin që aleati ynë strategjik SHBA ka vendosur për zhvillimin e kësaj stërvitje edhe në ujërat tona territoriale si dhe përdorimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve tona portuale. “Flotilja juaj Detare ka një pjesëmarrje dhe angazhim më shumë se të konsiderueshëm në këtë stërvitje. Ky është një rast i veçantë për të përfituar eksperienca dhe përvoja të vlefshme në angazhime të tilla të mëdha, por edhe një detyrim dhe përgjegjësi për përgatitje të gjithanshme serioze për një angazhim dhe përfaqësim dinjitoz të aftësive operacionale e profesionale të Forcës tonë Detare...”, - u shpreh ndër të tjera  gjeneralmajor prof. asoc. Begaj

Më pas të ftuarit ndoqën stërvitjen përgatitore, e cila u zhvillua në det në rajonin e Gjirit të Dukatit. Në stërvitjen morën pjesë gjithsej 7 (shtatë) anije të Flotiljes Detare: P-132 "Oriku",P-134 "Butrinti", P-116 "Bora", P-112 "Skënderbe", P-02 "Mati", P-03 "Shkumbini", Y-32 "Karaburuni", dy gomone të anijeve të klasit Iliria dhe një skuadër e Grupit të Bordingut. 

Duke përfunduar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Bajram Begaj, i siguroi ata për vëmendjen dhe mbështetjen e tij dhe të ministrit të Mbrojtjes me burime financiare për përmbushjen e misionit, zhvillimit të kapaciteteve, marrjen e masave konkrete për rritjen e motivimit dhe dinjitetit të ushtarakëve, si dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës.






Media Sociale



Moti