
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të aktivitetit sportive të 5-Garëshit Ushtarak për vitin 2021 në rang Force të Armatosur, e cila u zhvillua në ambientet e garnizonit “Skënderbej” në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në përshëndetjen e tij, gjeneralmajor Prof. Asoc. Begaj, pasi falënderoi organizatorët për punën e shkëlqyer, përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për frymën e kolektivitetit dhe shpirtin e garës, tipare këto që karakterizojnë Forcat e Armatosura për arritjen e synimeve dhe objektivave që ata i vënë vetes në realizimin e detyrave.
“Sfidat që i paraqiten ushtarakëve dhe Forcave të Armatosura për përmbushje e detyrave këkojnë ushtarakë me përgatitjee fizike të lartë, të motivuar, ndjenjë të lartë solidariteti dhe kondicion të mirë fizik. Aktivitetet sportive, pjesë e së cilës është edhe 5 - Garëshi Ushtarak, harmonizojnë më së miri përfitimin e cilësive të forcës, rezistencës, shkathtësisë dhe shpejtësisë, aftësi që ushtaraku duhet t’ i zotërojë për përballimin e stresit mendor dhe emocional në stërvitje, detyrë dhe operacion. Rezultatet e larta të arritura nga Forcat e Armatosura në kuadër të aktiviteteve sportive rajonale dhe ndërkombëtare në kuadër të CISM-it, tregojnë dhe flasin qartë për rritjen e nivelit të përgatitjes fizik.”, - u shpreh gjeneralmajor Prof. Asoc. Begaj.
Në aktivitetin sportive të 5 - Garëshit Ushtarak në rang FA, morën pjesë: Komanda e Forcës Tokësore, Detare, Ajrore, Komanda Mbështetëse, AFA, Policia Ushtarake si dhe ASNI.
Ky eveniment sportiv u dominua nga ushtarakët e Forcës Tokësore, të cilët arritën që të merrnin vendin e parë për të disatin vit radhazi. Më pas në vendin e dytë dhe të tretë u renditën respektivisht Forca Detare dhe Akademia e Forcave të Armatosura.
5-Garëshi Ushtarak në rang FA u zhvillua në periudhën 29 mars-2 prill 2021. Në këtë aktivitet morën pjesë 7 ekipe nga të gjitha komandant dhe repartet autonome të FARSH, në disiplinat: qitje sportive, vrapim 8 km, granadë në precizion dhe distancë, not me pengesa dhe brez-kalitje.