Gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj mori pjesë në konferencën mbi Komunikimin Strategjik të stërvitjes “Defender 21”

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj mori pjesë në video-konferencën mbi Komunikimin Strategjik në kuadër të përgatitjes për stërvitjen “Defender 21”, konferencë e organizuar nën drejtimin e Komandës së Forcave Tokësore Amerikane për Evropën dhe Afrikën.

Në konferencë morën pjesë personel i nivelit të lartë ushtarak i Komandës së SHBA në Evropë, strukturave të NATO-s, si dhe vendeve anëtare dhe partnere pjesëmarrëse në stërvitjen Defender 21, ku u trajtuan çështje që lidhen me kontekstin strategjik që përshkon stërvitjen, planin e komunikimit gjatë elementëve të stërvitjes, si dhe strategjinë për menaxhimin e keqinformimit të mundshëm.

Në fjalën e tij gjatë konferencës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj theksoi se stërvitja “Defender 21” do të jetë një platformë ideale jo vetëm për të testuar kapacitetet ushtarake të vendit tonë, por gjithashtu do të mbartë një mesazh të qartë të mbështetjes së aleatëve strategjikë në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese të FARSH.

Gjeneral Begaj theksoi se duke qenë të përgjegjshëm për rolin strategjik të Shqipërisë në rajon, vlerëson përfshirjen e portit të Durrësit dhe bazës ajrore të Kuçovës si infrastrukturë kritike në skenarin e stërvitjes. Gjithashtu, me prioritet do të jetë zbatimi i një protokolli të përbashkët i masave anti-COVID për të gjitha trupat pjesëmarrëse në stërvitje, duke përcjellë kështu mesazhe të unifikuara për përballimin e pandemisë. 

Stërvitja “Defender 21” e drejtuar nga SHBA do të jetë një ndër stërvitjet më të mëdha të Aleancës për vitin 2021 dhe do të zhvillohet në territorin e 14 vendeve të Evropës.






Media Sociale



Moti