Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj pret në një vizitë zyrtare komandantin e KFOR, gjeneralmajor Franco Federici

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Franco Federici, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të bashkëpunimit të FARSH me Komandën e KFOR ku u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj. 

Gjatë fjalës së tij në takim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, pasi uroi gjeneralmajor Federici për marrjen e Komandës së KFOR në nëntor të vitit të kaluar, shprehu bindjen se me eksperiencën e tij në NATO, BE dhe Kombet e Bashkuara, ai do të jetë një vlerë e shtuar për misionin e KFOR. 

Gjithashtu, gjeneralmajor prof. asoc.  Begaj shprehu mirënjohjen ndaj burrave dhe grave nën uniform që shërbejnë në KFOR, ku edhe Shqipëria është pjesë e këtij misioni. Nga ana e tij, gjeneralmajor Federici vlerësoi maksimalisht performancën e personelit ushtarak shqiptar që shërbejnë në KFOR. 

Në takim u vlerësua roli i KFOR-it si një ndër aktorët kyç në sigurinë dhe ruajtjen e paqes në rajonin e Ballkanit. Të dy liderët ushtarakë ndanë të njëjtat vlerësime dhe qasje mbi sfidat aktuale të sigurisë me të cilat përballet rajoni duke u fokusuar në impaktin e krijuar ndaj aktivitetit të forcave ushtarake nga kriza e pandemisë. Gjeneralmajor prof. asoc. Begaj informoi komandantin e KFOR se pavarësisht pandemisë, FARSH kanë mbajtur gatishmërinë e tyre operacionale duke kontribuar në përballimin e pandemisë krahas institucioneve të tjera kombëtare.  

Në përfundim të dy bashkëbiseduesit theksuan rolin e NATO në përballimin e sfidave si dhe forcimin e bashkëpunimit mes FARSH dhe KFOR edhe në të ardhmen. 

Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Franco Federici, u prit dhe zhvilloi një takim kortezie edhe me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.






Media Sociale



Moti