Përmbytjet në vend, FA dyfishon kapacitetet në ndihmë të banorëve

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e orëve të fundit.

Me kërkesë të Bashkisë Shkodër, Forcat e Batalionit I të Këmbësorisë janë vënë në dispozicion të Bashkisë Shkodër për transportin dhe evakuimin në rast nevojë në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit. Aktualisht ka përmbytje të pjesshme në njësinë Ana e Malit, në fshatin Kuç, ndërsa janë rritur prurjet e lumit Kir dhe Gjadër. Në një pjesë të sipërfaqeve të tokave ka ujë që shkon deri në 30 cm.

Agjencia e Mbrojtjes Civile bën me dije se janë dyfishuar kapacitetet me forca dhe mjete për t'u ardhur në ndihmë sa më shumë banorëve të zonave të prekura. Në njësinë Ana e Malit janë transportuar rreth 75 banorë.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet e Batalionit të Vaut të Dejës janë vënë në dispozicion edhe të Bashkisë Lezhë në zonat ku ka prani të shtuar të ujit.


Të gjithë repartet e Forcave të Armatosura, por sidomos ato të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse janë në gatishmëri të plotë dhe të gatshme për të ndërhyrë në rast nevoje.

Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje bashkive të vënë në dispozicion të gjitha burimet për të përballuar situatën në territoret e tyre pasi e kanë detyrim ligjor.

 






Media Sociale



Moti