Gjeneralmajor prof. asoc. Begaj, në ceremoninë e përcjelljes së dy kontingjenteve “Resolute Support Mission” në Kabul, Afganistan

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e përcjelljes së trupave të Kontingjentit VI paqeruajtës, të Batalionit të Forcave Speciale dhe Kontingjentit të XIII paqeruajtës të Batalionit të II të Këmbësorisë, të Forcës Tokësore, në Kabul, Afganistan, në kuadër të kontributit të vendit tonë në misionin e NATO “Resolute Support Mission”.

Në ceremoninë e organizuar në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, morën pjesë gjithashtu edhe komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Arben Kingji, atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë kolonel Muhammet Kelami Kablay, si dhe familjarët e efektivëve që  do nisen në mision.

Në përshëndetjen e tij drejtuar trupave të kontingjenteve paqeruajtëse, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj u shpreh ndër të tjera: ”Ceremoni të tilla janë shumë kuptimplote edhe pse në kushtet e një pandemie të shkaktuar nga COVID-19, prandaj më lejoni t’ju përgëzoj për gatishmërinë, sakrificën dhe profesionalizmin e treguar gjatë përgatitjes për mision. Jam besimplotë se kontingjenti juaj nën drejtimin e major Arben Loka, do të përmbushë me sukses misionin e ngarkuar, si dhe do të mbajë lart Flamurin Kombëtar dhe do të jeni ambasadorët më të mirë të FARSH.”

Gjithashtu gjatë përshëndetjes së tij, gjeneralmajor prof. asoc. Begaj, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm midis FA të Republikës së Turqisë dhe FA të Republikës së Shqipërisë, si dhe adresoi një falënderim të veçantë për mbështetjen dhe ndihmesën e dhënë për FARSH.

Duke përfunduar, gjeneralmajor prof. asoc. Begaj, falënderoi familjarët e efektivëve që nisen sot në mision për mbështetjen e dhënë, si dhe i siguroi ata, se ministrja e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ai personalisht do jenë gjithmonë pranë tyre dhe vajzave dhe djemve të tyre gjatë gjithë periudhës së misionit të tyre të vështirë në Afganistan.

 






Media Sociale



Moti