
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj zhvilloi një video - konference me gjenerallejtënant Christopher G. Cavoli, komandant i Komandës Tokësore Amerikane në Evropë. Takimi vjen në kuadër të rritjes së bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve sidomos projekteve për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por edhe stërvitjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, që kjo komandë do të zhvillojë në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit gjatë vitit 2021.
Gjeneralmajor, prof. asoc. Begaj vlerësoi bashkëpunimin ushtarak bilateral midis vendeve duke theksuar se “SHBA mbetet partneri më strategjik i Shqipërisë, i mbështetur në një histori të gjatë miqësie dhe partneriteti”. Bashkëpunimi ushtarak midis Shqipërisë dhe SHBA- shtrihet në fushat e edukimit, trajnimit, stërvitjes, modernizimit, logjistikës dhe misioneve me kontigjentë të përbashkët në Kosovë, Irak dhe Afganistan, ku forcat amerikane dhe shqiptare kanë luftuar krah për krah njëri tjetrit.
Gjenerallejtënant Cavoli vlerësoi rolin e Shqipërisë si partner besnik ndaj SHBA, si dhe shprehu gatishmërinë për mbështetjen për projektet në vazhdim dhe eksplorimin e fushave të reja të bashkëpunimit sidomos në atë të trajnimit të personelit për pajisjet e sistemet e dhuruara nga SHBA, por edhe stërvitjeve për rritjen e interoperabilitetit dhe testimin e gatishmërisë së forcave dhe pajisjeve.
Shqipëria do të jetë një nga vendet mikpritëse të stërvitjes “Defender - 21”, e cila është stërvitja më e madhe e SHBA por edhe NATO për 2021, në kontinentin evropian.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në këtë rajon. Në këtë kuadër u vlerësua roli i SHBA si palë në disa nga forumet e sigurisë në rajon si Adriatik Charter (A - 5), mbështetja e saj për integrimin e disa nga vendeve në strukturat euroatlantike dhe bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh për të promovuar vlerat e lirisë dhe paqes në rajon.
Gjenerallejtënat Cavoli uroi gjeneralmajor, prof. asoc. Begaj për marrjen e detyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe të dy shprehën edhe njëherë gatishmërinë për vijueshmërinë e bashkëpunim ushtarak midis palëve.