
Në kuadër të bashkëpunimit të FARSH me Komandën e KFOR, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në vendin tonë, Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Michelle Risi, i cili u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor, Prof. Asoc. Bajram Begaj.
Në takimin e zhvilluar midis shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Prof. Asoc. Begaj dhe komandantin e KFOR gjeneralmajor Risi, u vlerësua roli i KFOR-it në sigurinë dhe ruajtjen e paqes në rajonin e Ballkanit.
Gjatë fjalës së tij në takim, SHSHPFA, pasi shprehu mirënjohjen e burrave dhe grave nën uniform, të cilët shërbejnë në KFOR, ku edhe Shqipëria është pjesë, vlerësoi me nota pozitive rolin e gjeneralmajor Michelle Risi, në drejtimin e KFOR që prej nëntor 2019.
Nga ana e tij, gjeneralmajor Risi pasi e përgëzoi gjeneralmajor Begaj për marrjen e detyrës së lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, vlerësoi performancën e personelit ushtarak që shërbejnë në KFOR, të cilët me rritjen profesionale dhe eksperiencën e përfituar do të jenë një vlerë e shtuar për FARSH në të ardhmen.
Të dy bashkëbiseduesit gjatë takimit ndanë të njëjtat qasje për situatën e sigurisë në rajon, rolin e NATO si dhe vijimin e bashkëpunimit mes FARSH dhe KFOR edhe në të ardhmen.