COVID – 19, FA vijojnë angazhimin në operacionin humanitar dhe në monitorim/patrullim në gjithë vendin

bwd  Grup - Foto 1/3  fwd

Forcat e Armatosura, në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID - 19 në të gjithë vendin, vijojnë operacionin për shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë dhe atyre të prekura nga tërmeti si edhe monitorim/patrullimin me automjete të blinduara dhe patrullim në këmbë.

Operacioni humanitar për shpërndarjen e ndihmave ushqimore familjeve në nevojë, i cili ka vijuar pa ndërprerje në shumë qarqe të vendit, është ndjekur nga afër dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollcaku. Gjatë dorëzimit të pakove ushqimore të përgatitura nga Rezervat e Shtetit, në bashkitë Laç, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë, gjeneral brigade Kollçaku ka këshilluar sërish banorët të qëndrojnë në shtëpi. 

Po ashtu, strukturat e Komandës Mbështetëse vijojnë operacionin humanitar në shpërndarjen e ndihmave në shumë qarqe të vendit për familjet më në nevojë si dhe për familjet e prekura nga tërmeti dhe pensionistëve familjarë.

VIDEO

Gjithashtu, Batalioni i Xhenios vijon punën në depot e Rezervave të Shtetit në paketimin dhe shpërndarjen e pakove ushqimore dhe më pas transportimin në destinacionet e kërkuara. Konkretisht, gjatë këtyre ditëve strukturat e Komandës Mbështetëse kanë vijuar operacionin humanitar për shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë dhe atyre të prekura nga tërmeti në bashkitë dhe fshatrat e rajoneve Tiranë, Kamëz, Vorë, Durrës, Krujë, Laç, Kavajë, Rrogozhinë, Shijak, Lezhë, Rrëshen dhe Shkodër.

Ndërkohë, vijojnë të jenë në terren automjete të blinduara të pajisur me efektivë dhe njësi patrullimi të Forcës Tokësore, Policisë Ushtarake, Forcës Detare, Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Forcës Ajrore, të cilët  janë ndarë në qarqet e prekura nga ky virus, për të mbështetur Policinë e Shtetit, disiplinuar të gjithë ata qytetarë të cilët nuk respektojnë fashat e orareve dhe krijojnë kështu shpesh edhe rrezikshmëri për shëndetin e banorëve të tjerë. 

Strukturat e Forcave të Armatosura vijojnë monitorimin dhe patrullimin, në mbështetje të Policisë së Shtetit  në të gjithë vendin, me qëllim shmangien dhe parandalimin dhe përhapjes së virusit COVID - 19.

Operacioni humanitar do të vijojë edhe në ditët në vijim, për t'iu gjendur pranë çdo familjeje në nevojë.







Media Sociale



Moti