FA festojnë “International Day of Military Sports 2020”

bwd  Grup - Foto 1/3  fwd

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sporteve Ushtarake (CISM), në kodrat e Liqenit Artificial, Forcat e Armatosura zhvilluan paraditen e sotme aktivitetin “International Day of Military Sports 2020”, nën moton “Miqësi nëpërmjet sportit”.

Në aktivitet merrnin pjesë rreth 400 ushtarakë të komandave të forcave, njësive dhe reparteve autonome të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Pjesëmarrësve ju bashkua edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, drejtorë të drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm, komandantë forcash dhe repartesh, atashetë ushtarakë të NATO dhe vendeve partnere të akredituar në vendin tonë, si dhe një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës. 

Aktiviteti filloi me një kros masiv me të gjithë pjesëmarrësit në distancën 5 km, përreth Liqenit të Tiranës, nën flamurin e CISM, atë kombëtar dhe të forcave. 

Pas përfundimit të vrapimit, në ambientet e Amfiteatrit, u zhvillua ceremonia. Ceremonia filloi me luajtjen e himneve të CISM dhe atij kombëtar, dhe më pasi vijoi me fjalët e rastit. Drejtori i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes, kolonel Leonard Çoku, në detyrën edhe të kryetarit të Sporteve në FA, në fjalën e tij bëri një përmbledhje të qëllimit të aktivitetit, si dhe renditi disa nga arritjet e FA në kuadër të CISM për vitin 2019. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në fjalën e tij, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet të rëndësishëm dhe vuri theksin në rëndësinë e sportit në përgjithësi dhe të përgatitjes fizike në veçanti, e cila shërben për ruajtjen e gatishmërisë luftarake të efektivëve të Forcave të Armatosura. Ai tha se viti 2020 do të jetë viti i stërvitjes dhe gatishmërisë.

Gjeneral Kollçaku akordoi medalje “Për shërbime të veçanta”, për nëntetar Luiza Gega, për rezultatin e saj të lartë të arritur në Lojërat e Shtata Botërore Ushtarake të zhvilluara në tetor 2019, në Kinë. Gjithashtu për pjesëmarrësit u shpërndanë certifikata pjesëmarrje dhe mirënjohje për ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, atashetë ushtarakë dhe komandat e Forcave. Certifikatë mirënjohje ju akordua edhe nënkolonel (R) Ramazan Zelia dhe nënkolonel (R) Bashkim Lika, për kontributin e tyre ndër vite për lartësimin e vlerave të sportit në FA.

Aktiviteti u mbyll me një koncert të shkurtër organizuar nga Qendra e Kulturës dhe Medias Botimeve të Mbrojtjes në FA.

CISM (International Military Sport Council), është Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve Ushtarake, themeluar në 18 shkurt 1948, ku aderojnë Forcat e Armatosura të 138 vendeve nga e gjithë bota, midis tyre edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Dita e vrapimit të CISM zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes. 

Ky aktivitet ka si qëllim promovimin e aktiviteteve sportive dhe edukimit fizik ndërmjet Forcave të Armatosura për të ushqyer paqen nëpër botë. Motoja e CISM-it është “Miqësi nëpërmjet Sportit -Friendship through sport".

 







Media Sociale



Moti