Forcat e Armatosura nisin fushatën përvitshme të dhurimit të gjakut

Edhe këtë fillim viti, FA i bashkohen iniciativës për dhurim vullnetar gjaku nga personeli ushtarak dhe civil i saj, në koordinim e bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. 

Paraditen e sotme, në mjediset e auditorit të Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e hapjes së kësaj fushate, ku morën pjesë zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, komandantë repartesh në FA, drejtorë drejtorish në SHP, drejtori i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut z. Kristo Raca, zëvendësdrejtoresha e kësaj qendre znj. Irena Seferi si dhe efektivat dhurues vullnetar të gjakut nga strukturat e Forcave të Armatosura.

Zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Shehu, në fjalën e saj shprehu kënaqësinë e veçantë të përcjellë përshëndetjen në emër të ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm për të gjithë pjesëtarët e Forcave të Armatosura, që u bënë pjesë e këtij eventi të rëndësishëm të dhurimit të gjakut.

Zëvendësdrejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut znj. Seferi në fjalën e saj vlerësoi kontributin e FARSH, të cilat kanë qenë prej vitesh dhe janë një mbështetje e vyer dhe konsistente në dhurimin vullnetar të gjakut. Znj. Seferi i falënderoi të pranishmit duke i siguruar që sot personeli i Forcave të Armatosura po kontribuon për një të mirë kombëtare, po kontribuon për të pasur gjak të mjaftueshëm e të sigurtë për të gjithë njerëzit në nevojë dhe kryesisht për fëmijët talasemikë

Dhurimi i gjakut, u bë nën praninë dhe kujdesin e personelit shëndetësor të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, si dhe të personelit shëndetësor të Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë ditës së sotme numri i dhuruesve ishte relativisht i lartë, proces i cili do të vijojë në ditët në vazhdim edhe në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura.







Media Sociale



Moti