Dekorohet me medaljen “Repart i Shquar”, batalioni i Forcave Speciale

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku i ka akorduar ditën e sotme Batalionit të Forcave Speciale (bFS), medaljen “Repart i Shquar”, me motivacionin: “Për trimëri e vendosmëri të lartë, gjatë përmbushjes së misionit përmes vështirësive të mëdha”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm gjithashtu komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Nazmi Cahani, përfaqësues nga shtabi i Forcës Tokësore, komandantët e reparteve vartëse të Forcës Tokësore etj. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në përshëndetjen e tij, duke e cilësuar Batalionin e Forcave Speciale si nderin dhe dinjitetin e Forcave të Armatosura u shpreh ndër të tjera: “... nderi dhe dinjiteti i Forcave të Armatosura në angazhimet tona brenda dhe jashtë vendit, ky është Batalioni i Forcave Speciale. Gjurma juaj dhe vepra juaj shtrihet larg kufijve të Shqipërisë, në Afganistanin e largët, në Irak, në Kosovë ku pata nderin para pak ditësh të takoja pjesëtarët e Batalionit të FS, të cilët ishin në lartësinë e detyrave dhe në lartësinë e të gjitha forcave që marrin pjesë nga vendet kryesore të Aleancës. Kontributi juaj nuk kufizohet vetëm në operacionet luftarake, por edhe në angazhimet në kuadër të emergjencave civile, ndaj ndihem vërtet shumë krenar sot, që kjo medalje i shtohet numrit të shumtë të medaljeve që ka marrë ky repart ndër vite. Por, ky batalion ka gjithashtu diçka tjetër që e bën të veçantë. Ky është batalioni i heronjve dhe i dëshmorëve, ndaj ne sot kujtojmë me respekt edhe kapiten Feti Voglin, i cili dha jetën e tij në Afganistan për kauzën e lartë të shërbimit ndaj atdheut dhe ndaj Aleancës. Kjo, është dekoratë që ju takon të gjithë efektivave të këtij reparti si ju që jeni sot këtu, por edhe atyre që kanë shërbyer ndër vite dhe kanë dhënë kontributin e tyre dhe meritojnë vlerësimin tonë më të lartë...

Më tej, gjatë përshëndetjes së tij, gjeneral brigade Kollçaku i siguroi efektivat e Batalionit të Forcave Speciale se ashtu sikurse kanë qenë vazhdimisht në vëmendjen e Ministrisë së Mbrojtjes, SHPFA dhe Komandës së Forcës Tokësore gjatë këtyre viteve, me të njëjtën vëmendje ata do të trajtohen edhe shikohen edhe gjatë vitit 2019 duke siguruar për ta trajtim më të mirë financiar, pajisje moderne si dhe kushte stërvitore bashkëkohore. 

Në përfundim të përshëndetjes së tij, gjeneral brigade Kollçaku i ka përgëzuar për medaljen e merituar, si dhe u ka uruar të gjithë të pranishmëve në këtë ceremoni të veçantë, festa sa më të gëzuara të fund vitit për ta dhe familjet e tyre.

 

 







Media Sociale



Moti