Promovohet nënoficeri më i mirë për vitin 2018 në Forcat e Armatosura

 

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të nënoficerit më të mirë të vitit 2018 në FARSH.

Në ceremoni, e cila u organizua në auditorin e Ministrisë së Mbrojtjes, ishin të pranishëm gjithashtu, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjenerale brigade Manushaqe Shehu, komandanti i KDS gjeneral brigade Bajram Begaj, komandantë forcash, drejtorë drejtorish në SHP si dhe një efektiv prej 150 nënoficerë nga komandat kryesore dhe repartet autonome të SHP të FA.

Në përshëndetjen e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, pasi ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe në veçanti trupën e nënoficerëve konkurrues, u shpreh ndër të tjera: “Dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë kompeticion. Ju jeni shtylla kurrizore e Ushtrisë, jeni palca e Forcave të Armatosura. Pjesëmarrja e gjerë e juaj në këtë përzgjedhje tregon rëndësinë që ju i jepni këtij evenimenti. Ju falënderoj për atë çka jeni dhe çka bëni…”, - u shpreh ndër të tjera gjeneral brigade Kollçaku.

Më tej, gjatë fjalës së tij, gjeneral brigade Kollçaku theksoi se "... përzgjedhja e nënoficerit të vitit në Forcat tona të Armatosura po kthehet në traditë, sikundër e kanë shumë Forca të Armatosura kudo në botë. 'Nënoficeri i Vitit' e filloi rrugëtimin e tij për herë të parë në vitin 2013, duke mundësuar jo vetëm përzgjedhjen e nënoficerit më të mirë, por edhe duke shërbyer si nxitje dhe motivim për nënoficerët e rinj. Forcat e Armatosura", - theksoi gjeneral brigade Kollçaku, - "kërkojnë një trupë nënoficerësh të mirëtrajnuar, kualifikuar, edukuar sipas standardeve të përparuara të NATO". 

Për vitin 2018, nënoficer i vitit u përzgjodh rreshter Erion Rakipi, të cilit shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH i akordoi medaljen “Për shërbim të veçantë”, me motivacionin “Për përzgjedhjen Nënoficer i Vitit 2018”.

Në fund të aktivitetit u shpërndanë edhe certifikata mirënjohje për nënoficerët pjesëmarrës si dhe u bë një foto e përbashkët.







Media Sociale



Moti