Gjeneral brigade Kollçaku priti në takim një ekip ekspertësh të Qendrës së Marrëdhënieve Civilo-Ushtarake të Monterey, SHBA

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, priti në një takim të veçantë ekipin e ekspertëve të Qendrës së Marrëdhënieve Civilo - Ushtarake të Monterei, SHBA, të kryesuar nga dr. Thomas Young, të cilët po zhvillojnë në vendin tonë një kurs 2 - javor në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pasi u uroi mirëseardhjen, gjeneral brigade Kollçaku shprehu rëndësinë që ka sistemi i planifikimit, programimit dhe buxhetimit të Mbrojtjes. “Buxheti i Mbrojtjes është gjithmonë një sfidë për ne dhe kërkon përmirësime të vazhdueshme. Jemi duke përpjekur u që trendi i tij të jetë gjithmonë në rritje, me synimin që në 2024 ai të arrijë 2% të GDP, sipas zotimit tonë në Aleancë. Prandaj e vlerësoj dhe e shikoj të rëndësishëm zhvillimin e këtij kursi, i cili do të ndihmojë personelin kyç ushtarak dhe civil të angazhuar në procesin e planifikimit, programimit dhe buxhetimit të Mbrojtjes”, u shpreh gjeneral brigade Kollçaku.

Më tej, gjatë fjalës së tij, SHSHPFA e njohu dr. Young me zhvillimet më të fundit të FARSH në fushën e modernizimit, ku synohet të përmirësohet infrastruktura, por edhe jetesa e personelit të FARSH si dhe vuri theksin në vlerësimin që NATO u ka bërë FARSH duke përzgjedhur Bazën Ajrore, Kuçovë si bazë taktike të NATO.

Gjeneral brigade Kollçaku nënvizoi gjatë takimit se rritja e fundit e buxhetit tregoi se FARSH janë të aftë të ofrojnë shumë më tepër për vendin në raste emergjence civile dhe fatkeqësish natyrore, gjë që e treguan në dhjetor të 2017.

Nga ana e tij, dr. Young pasi e falënderoi gjeneral brigade Kollçakun për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e bërë nga ai për zhvillimin e këtij aktiviteti, u shpreh se kursi është përgatitur për kërkesat dhe nevojat specifike të Shqipërisë për Buxhetin e Mbrojtjes. “Buxheti është një sfidë për të gjithë vendet e Aleancës dhe jo vetëm për vendin tuaj. Shpresojmë që në përfundim të këtij kursi të dalim në propozime konkrete për të përmirësuar problemet e Shqipërisë në planifikimin e Mbrojtjes”.

Në përfundim të takimit, gjeneral brigade Kollçaku dhe dr. Young vlerësuan rolin dhe kontributin e Qendrës së Marrëdhënieve Civilo - Ushtarake, e cila ndër vite ka ofruar trajnime dhe kurse për studentët shqiptarë, në lidhje me menaxhimin e burimeve të mbrojtjes.







Media Sociale



Moti