Stërvitje e përbashkët tre ditore midis Forcës Detare shqiptare dhe anijes së NATO-s “FGS RHEIN”

Në kuadër të bashkëpunimit midis Forcës Detare shqiptare dhe NATO-s, për vitin 2018, anija flamurtare “FGS RHEIN”, e Grupit të Dytë të Gatshëm të Anijeve Minaheqëse të NATO-s (SNMCMG2), mbërriti në portin e  Vlorës. Qëllimi i kësaj vizite është zhvillimi i një stërvitje treditore të përbashkët me anije të Forcës Detare nga data 20 deri 22 gusht 2018.

Anija “FGS RHEIN” u prit në ujërat tona territoriale nga anije të Forcës Detare në Gjirin e Vlorës dhe pas bregëzimit në port, u prit nga ushtarakë të lartë të Forcës Detare dhe oficerë të shtabit të Flotiljes Detare, të cilët u imbarkuan në bordin e saj për urimin e mirëseadhjes në vendin tonë.

Më pas, ekuipazhi i anijes i kryesuar nga komandanti i Grupit SNMCMG2, zhvilloi një vizitë kortezie në Bashkinë e Vlorës, ku u pritën nga Kryetari i Bashkisë, i cili i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi rëndësinë që kanë vizita të tilla në qytetin e Vlorës. Më pas grupi i ushtarakëve miq, u pritën nga Prefekti i Vlorës i cili ndër të tjera theksoi se, është kënaqësi që qyteti i Vlorës vizitohet nga anije të huaja e në mënyrë të veçantë nga anija “RHEIN”, vizitë kjo, e cila i shërben paqes dhe sigurisë.

Anija “FGS RHEIN” gjatë qëndrimit në vendin tonë do të presë vizita të qytetarëve e mediave lokale të Vlorës, në bordin e saj.

“FGS RHEIN” do të lërë ujërat shqiptare më datë 23 gusht 2018, për të lundruar drejt Spezias në Itali.







Media Sociale



Moti