Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku asiston në takimin ndërinstitucional për përballimin e situatave të emergjencave.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku mori pjesë në takimin e organizuar nga Drejtoria e Emergjencave Civile në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Drejtorinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin të Ministrisë së Brendshme për marrjen e masave për përballimin e situatave të ndryshme emergjente që mund të krijohen kryesisht si pasojë e zjarreve.

Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, z. Haki Çako, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kolonel Petrit Çuni, përfaqësues nga strukturat e Forcave të Armatosura, Ministritë e linjës, Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, përfaqësues të Emergjencave Civile pranë institucionit të Prefektit nga të gjitha qarqet e vendit si dhe përfaqësues nga strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në bashkitë qendër qarku.

Takimi ndërinstitucional u organizua me qëllim njohjen e gjendjes dhe situatës aktuale në shkallë vendi, përgatitjen për përballimin e emergjencave civile, kryesisht të zjarreve si dhe forcimin dhe rritjen e gadishmërisë të strukturave operacionale për përballimin e ndonjë situate të mundshme.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e mbajtjes së këtij takimi për vetë sezonin e verës që po kalojmë, si dhe theksoi kontributin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura në menaxhimin e situatave të ndryshme emergjente dhe në veçanti për fikjen e zjarreve. Ky takim dhe kjo platformë bashkëpunimi ndërinstitucional është mënyra më e mirë për të mirëkordinuar në vijëmësi kapacitetet me qëllim përdorimin e tyre në mënyrë efikase në rastet e emergjencave të mundshme. 

Gjeneral Kollçaku, shprehu se Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme për të marrë pjesë në operacione për përballimin e emrgjencave civile në zbatim dhe në përputhje me ligjin.

Takimi u mbyll me analizat e drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në Ministrinë e Brendshme dhe drejtorit të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët respektivisht vlerësuan efikasitetin e kryerjes së operacioneve në mbështetje të popullsisë civile në rastet e emergjencave si dhe shprehën rëndësinë e kordinimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen për të qenë sa më efikas.







Media Sociale



Moti