Ministria e Mbrojtjes demonstron kapacitetet operacionale që përdoren në Emergjencat Civile në Forcat e Armatosura

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Sot paradite, në vendbazimin e Kepit të Palit, Durrës, u zhvillua një aktivitet i veçantë, me qëllim demonstrimin e kapaciteteve operacionale që Forcat tona të Armatosura vendosin në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në rast emergjencash civile.

Në këtë  ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Emergjencave Civile në MM z. Haki Çako, , prefekti i qarkut Durrës, z. Roland Nasto, komandantë forcash, drejtorë drejtorie në MM dhe SHP, etj.

Pasi inspektoi kapacitetet operacionale për emergjencat civile, ministrja Xhaçka e nisi fjalën e saj në këtë aktivitet me një solidarizim me popullin grek, për fatkeqësinë e shkaktuar nga zjarret masive, duke u shprehur se bashkohemi me dhimbjen e familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur dhe lutemi për ta”. Të gjithë kemi përjetuar me keqardhje dhe jemi tronditur me atë çfarë ka ndodhur në shtetin tonë fqinj, me skenat apokaliptike të zjarreve, të cilët vetëm në pak minuta kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë kthyer disa fshatra në shkretëtirë”.

VIDEO:

 

Duke shprehur dhimbjen për humbjen e jetëve njerëzore në fatkeqësinë që po përjeton populli grek, ministrja Xhaçka bëri me dije vendimin që qeveria shqiptare ka marrë për t'i akorduar një ndihmë financiare qeverisë së Greqisë. ”Me këtë rast, unë doja të siguroja kolegun tim, ministrin e Mbrojtjes, z. Panos Kammenos, që FA të RSH, janë të gatshme t’u ofrojnë ndihmën kolegëve fqinj, nëse gjykohet e nevojshme. Urojmë që situata të vendoset sa më shpejt nën kontroll. Kjo është një nga ato ngjarje që na bën të reflektojmë për rëndësinë që ka ndërtimi i kapaciteteve dhe gatishmëria për t'u përballur me fatkeqësi të kësaj natyre”, - u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka.

Më tej gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet, ajo vuri theksin në rolin dhe barrën që ka marrë mbi vete Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të RSH në përballjen me emergjencat civile, duke i konsideruar ato front lufte, një luftë që merr jetë njerëzish dhe që shkatërron prona publike dhe private. "Ne kemi marrë të gjitha masat dhe po koordinojmë punën me qëllim që strukturat përkatëse të jenë në gatishmëri maksimale për të ndërhyrë në çdo moment për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve tanë”, - u shpreh ministrja Xhaçka.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, z. Çako, pasi falënderoi ministren e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH për mbështetjen e dhënë për ngritjen e këtyre kapaciteteve, u shpreh ndër të tjera se jemi të gatshëm dhe në dispozicion për të përballuar dhe ndihmuar popullsinë civile në çdo rast emergjence civile.

Në demonstrimin e sotëm të kapaciteteve operacionale që përdoren nga Forcat e Armatosura në emergjencat civile morën pjesë rreth 450 forca, të cilët ishin efektivë të Forcës Tokësore, Forcës Ajrore, Forcës Detare, Komandës Mbështetëse, Policisë Ushtarake, Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit, Batalionit të Mbështetjes të SHP si dhe Njësia Mjekësore Ushtarake.







Media Sociale



Moti