Gjenerale brigade Shehu në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të efektivëve të kompanisë së Xhenios për municionet e paplasura

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në poligonin e Jub-Sukth është zhvilluar sot paradite ceremonia e përfundimit të trajnimit të efektivëve të kompanisë së xhenios së Batalionit të Mbështetjes me Luftim, të Forcës Tokësore, të cilët për afro tre javë zhvilluan programin trajnues “Trajnim i super vizorëve, operatorëve si dhe personelit mjekësor, për kërkim, zbulim dhe pastrim të municioneve të paplasura”.

Në këtë aktivitet, i cili u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me ambasadën norvegjeze në vendin tonë dhe u organizua nga “Fondi Ndërkombëtar i Besimit” si dhe nga organizata “Norwegian People’s Aid” në  koordinim me zyrën shqiptare të Koordinimit të Minave dhe Municioneve (AMMCO), morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga ambasada e SHBA në vendin tonë,  z.Timothy J.Enright, drejtori i “Fondit Ndërkombëtar të Besimit”, Ambassador Tomaž Lovrenčič, drejtori i AMMCO z.Arben Braha, drejtorë drejtorie në MM dhe SHP.

Në përshëndetjen e saj në këtë ceremoni, zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerale brigade, Manushaqe Shehu, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit u shpreh ndër të tjera: “Ne ju falënderojmë sot për mundësinë e trajnimit që shërben në krijimin e kapaciteteve kombëtare, për vazhdimin e punës në pastrimin e hotspoteve në hapësirën territoriale shqiptare por, falënderimi ynë shkon edhe për ndihmën e dhënë për pajisjet e çminimit që përdoren aktualisht nga ekspertët e kompanisë NPA, që në përfundim të operacionit të pastrimit të hotspotit Jub-Sukth, do t’i dhurohen kompanisë xheniere të Batalionit të Mbështetjes me luftim të Forcës Tokësore”.

Gjenerale brigade Shehu gjatë fjalës së saj, adresoi një falënderim të veçantë për gjithë donatorët, miqtë dhe aleatët dhe partnerët për këtë donacion që shërben për të minimizuar një ndër problematikat që Shqipëria trashëgoi ndër vite. “Shqipëria, si anëtare me të drejta të plota në NATO, në organizatën më jetëgjatë të sigurisë botërore, ka parë me prioritet edhe aspektet e mbrojtjes si dhe të ndihmës ndaj komunitetit, për të përgatitur ushtarakë të aftë për të qenë të denjë në misione kombëtare dhe ndërkombëtare sikurse ushtritë simotra euroatlantike.” - theksoi gjenerale brigade Shehu.

Ceremonia u përshëndet gjithashtu edhe nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane në vendin tonë si dhe nga drejtori i “Fondit Ndërkombëtar të Besimit” ambasador Tomaž Lovrenčič, të cilët vlerësuan bashkëpunimin në rritje me Forcat e Armatosura shqiptare, duke vënë në dukje gjithashtu profesionalizmin disiplinën dhe etjen për njohuri të pjesëmarrësve në trajnim. Ata u shprehën të bindur se ky bashkëpunim në të ardhmen do të shënojë rritje të mëtejshme.

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave për personelin që iu nënshtrua këtij trajnimi.







Media Sociale



Moti