Kontingjenti IX dhe anija “Lissus” e Forcës Detare nisen me mision në detin Egje

Është zhvilluar paraditen e sotme në Bazën Detare Pashaliman, Vlorë, ceremonia e përcjelljes së kontingjentit IX dhe anijes “Lissus”, për në operacionin e NATO në detin Egje.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendëskomandanti i Forcës Detare, përfaqësues të pushtetit vendor Vlorë, drejtorë nga drejtoritë në Shtabin e Përgjithshëm të FA si dhe të ftuar e familjarë të efektivave që u përcollën për në operacionin “Sea Guardian”.

Zëvendëskomandanti i Forcës Detare kapiten i rangut të parë Subi Zenelaj, në përshëndetjen e tij, pasi u ka  uruar efektivave shumë mbarësi e suksese në mision, u shpreh ndër të tjera :”Të qenit pjesë e Grupit të Dytë Detar të NATO, ka rritur standardin e Forcës Detare, ndërveprueshmërinë me aleatët dhe mbi të gjitha vetëbesimin se Forca jonë Detare dhe pse jo shumë e madhe luan rol të konsiderueshëm”. Me tej, duke iu drejtuar efektivave ai shtoi: ”Uroj të jeni të ndërgjegjshëm për rëndësinë e asaj çfarë do të bëni dhe shpresojmë shumë në profesionalizmin tuaj”.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Civilo - Ushtarak në Shtabin e Përgjithshëm të FA, kolonel Zaho Golemi, në përshëndetjen e tij në emër të Shtabit të Përgjithshëm të FA, pasi bëri një permbledhje të përfaqësimit dinjitoz dhe me profesionalizëm të kontingjenetve që kanë shërbyer në misionet e NATO në operacionin “Sea Guardian”, në detin Egje, duke i konsideruar krenari të Forcave të Armatosura u shpreh ndër të tjera: “Do të keni gjithë mbështetjen e mundshme të strukturave eprore të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim që misioni juaj të jetë i suksesshëm”

Efektivat i përshëndeti gjithashtu edhe prefekti i Vlorës z. Flamur Mamaj  i cili u uroi shumë suksese dhe mbarësi.
Pjesëmarrës të veçantë në këtë ceremoni ishin “aspirantët e rinj” gjimnazistë të cilët ndjekin programin orientues për të rinjtë “Rini-Talent-Mundësi-Dinjitet” i organizuar nga FA në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

Në bordin e anijes gjatë këtij tremujori do të shërbejnë dy gra, duke shënuar kështu kontigjentin e dytë në përbërje të të cilit gratë u bënë pjesë e misionit në operacionin “Sea Guardian” në detin Egje, që nga fillimi i tij në nëntor të vitit 2016.

Pjesëmarrja e Forcës Detare në operacionin “Sea Guardian” si pjesë përbërëse e Grupit të Dytë Detar të NATO ka filluar në nëntor të vitit 2016.

Efektivat dhe anija shqiptare kanë rolin e patrullimit dhe  raportimit të trafikut të migrantëve në zonën operacionale dhe ndërhyrja duke ofruar ndihmë në rastet kur jetët njerëzore janë në rrezik.







Media Sociale



Moti