FA kremtojnë 75 vjetorin e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare

 

Në mjediset e Muzeut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është zhvilluar paraditen e sotme një ceremoni e veçantë, me rastin e 75 - vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm zv. ministri i Mbrojtjes, Z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, drejtoresha e QKMBMSHP, Znj. Mirela Roshi, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, historianë dhe akademikë, ish-ushtarakë që kanë shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm, veteranë të LANC etj.

Në përshëndetjen e tij të veçantë në këtë ceremoni, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, theksoi se përkujtimi i 75 - vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm është i rëndësishëm në historikun e Forcave të Armatosura shqiptare. 

“ Sot është dita ku ne nderojmë Shtabin e Përgjithshëm në 75 - vjetorin e krijimit të tij, i cili gjatë gjithë rrugëtimit të tij shkroi histori suksesi në zjarrin e betejave, ku shqiptarët ditën të organizohen me një shtab ushtarak të tyre, në mbrojtje të lirisë dhe vlerave kombëtare”.

Më tej gjatë fjalës së tij, gjeneral brigade Kollçaku u shpreh se Shtabi i Përgjithshëm i FARSH, sot renditet përkrah Aleancës më të madhe, duke kontribuar me kuadro të lartë në misionet e NATO-s jashtë vendit ashtu siç është pranë popullsisë civile në çdo situatë fatkeqësie natyrore dhe Emergjence Civile. 

“Prandaj, Shtabi i Përgjithshëm meriton vëmendje, prandaj ne kemi arsye për tu ndjerë krenarë sot”, - u shpreh gjeneral brigade Kollçaku në përshëndetjen e tij në 75 - vjetorin e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm.

Në ceremoninë përkujtimore të 75 - vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, u mbajtën disa kumtesa nga historiani i njohur, profesor Pëllumb Xhufi si dhe doktor Maringlen Kasmi, me anë të të cilave ata sollën në vëmendje historinë e lavdishme të Shtabit të Përgjithshëm.

Ceremonia u përmbyll me një vizitë në pavijonet e Muzeut të Forcave të Armatosura.







Media Sociale



Moti