FA program orientues për të rinjtë në kuadër të misionit “Rini – Talent – Mundësi – Dinjitet”

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në kuadër të misionit të posaçëm  “Rini – Talent – Mundësi – Dinjitet” ka filluar në mjediset e Garnizonit Zall-Herr të Forcës Tokësore, programi orientues për të rinjtë me qëllim ndihmesën e tyre në orientimin profesional dhe në karrierë edhe në Forcat e Armatosura apo në jetën civile.

Të pranishëm në siparin e këtij programi orientues për të rinjtë kryeqytetas, ishin ministrja e Mbrojtjes znj.Olta Xhaçka, ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë znj.Lindita Nikolla, drejtorë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtorë nga gjimnazet e Tiranës etj.

Ministrja e Mbrojtjes znj.Xhaçka, duke iu uruar mirëseardhjen në shtëpinë e dy reparteve elitë të Forcës Tokësore, siç janë batalioni i Forcave Speciale dhe ai “Komando”, gjimanzistëve pjesëmarrës në aktivitet, bëri fillimisht një rezyme të programit, të cilit ata do t’i nënshtrohen gjatë kësaj jave. 

“Besoj se do të jetë një trajnim, që unë jam e bindur se do t’iu hapë mendjen dhe ndoshta do t’iu nxisë dëshirën që të konsideroni që të bëheni pjesë e Forcave të Armatosura, sepse të bëhesh pjesë e familjes tonë të madhe, është një mision shumë fisnik, por është njëkohësisht edhe një profesion shumë i bukur nga, i cili ke mundësinë të rritesh dhe të përparosh në karrierë, të marrësh specialitete të veçanta, të cilat të bëjnë jo vetëm për të kontribuar në FA jo vetëm për të kontribuar si ushtar, pra jo vetëm me armë në dorë, por të kontribuosh edhe brenda vendit edhe jashtë vendit në shtabet e NATO në përfaqësi të tjera të organizatave të sigurisë me të cilat ne bashkëpunojmë, si një profesionist i fushës apo specialitetit që keni përfituar gjatë kurseve apo trajnimeve në Forcën e Armatosur”, - u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka, në përshëndetjen e saj drejtuar të rinjve.

Në vijim të aktivitetit, fjalën e mori ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë znj.Lindita Nikolla. Duke mos e fshehur emocionin e veçantë për prezencën e saj në këtë aktivitet, znj.Nikolla u shpreh ndër të tjera se: “ I gjithë kontakti dhe informacioni që unë mora në këtë repart, i cili në fakt është i ekselencës, më të mirët, ajka me të cilët ne krenohemi për gjithçka që ata afrojnë. Faktikisht, ne krenohemi me të gjithë Forcat e Armatosura dinjitoz sot anëtar të NATO-s, që na ka bërë krenarë me misionet e tyre si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Këtë e kemi parë jo vetëm në misionet e sigurisë dhe të paqes, por në shumë misione brenda vendit ku kanë qenë të parët në radhën e vetëmohimit në emergjenca për të shpëtuar jetë njerëzish, po ashtu edhe mjedisin, nga probleme të ndryshme që vinin nga kushtet e ndryshme të motit.”

Duke iu drejtuar të rinjve pjesëmarrës në program, ministrja Nikolla vazhdoi fjalën e saj duke thënë: “ Ju do të njiheni këto ditë me mundësitë shumë të mëdha, që ofron Forca e Armatosur që ndoshta nesër për dikë nga ju apo për shumë nga ju, do të jetë edhe zgjedhje. Sigurisht, që ka nga ata që janë në frontin e parë, por ka edhe shumë nga ata që janë dinjitoz në profesionin e tyre brenda FA si mekanik, xhenerik, mjek e shumë profesione të tjera me, të cilat ju do të njiheni këto ditë nga këta pjesëtarë të nderur dhe më të mirët që Forcat Tona të Armatosura kanë. Ju falënderoj gjithashtu, që nëse ka një mjedis ku realisht ndjen tamam të gjitha ato aspektet e shprehive dhe qëndrimeve qytetare, është pikërisht ky mjedis, ndaj këta nxënës do të kenë mundësinë të njihen dhe të aftësohen edhe me disa prej shprehive që na bëjnë qytetarë të suksesshëm.”

Programi “ Rini – Talent – Mundësi – Dinjitet”, do të ndiqet nga 72 të rinj nga gjimnazet e Tiranës. Për rreth një javë ata do të bëhen “pjesë” e uniformave të blerta, ku nën drejtimin e instruktorëve më të mirë të forcave Komando dhe atyre të batalionit të Forcave Speciale, do të prekin nga afër jetën ushtarake. Nëpërmjet brifing-eve dhe trajnimit praktik në terren, gjimnazistët do të kenë mundësinë të marrin njohuri mbi mënyrën se si funksionon jeta ushtarake, si punohet në një garnizon ushtarak, njohuri mbi përdorimin e armëve, përgatitje fizike, bazën ligjore ku mbështeten dhe funksionojnë forcat e armatosura  etj. Një objektiv shumë i rëndësishëm i trajnimit të gjimnazistëve në ambientet ushtarake, është edhe pajisja e tyre me vlerat më të mira të ushtarakëve si elitë e shoqërisë siç janë: integriteti, ndershmëria, atdhedashuria , besnikëria, respekti, kurajoja  etj.







Media Sociale



Moti