Helikopterët e Forcave të Armatosura pajisen për shuarjen e zjarreve, në mbështetje të Emergjencave Civile

Helikopterët “Couger”, të Forcës Ajrore, janë pajisur me kova uji (bambi bucket), me volum 2500 litra, për shuarjen e zjarreve, të cilat rrisin me 12 herë kapacitetet e Forcave të Armatosura në krahasim me një vit më parë, kur shuarja e zjarreve nga ajri bëhej me kontraktor privat, në mbështetje të Emergjencave Civile.

Për këtë qëllim gjatë ditës së sotme, në Liqenin e Farkës, u krye një demonstrim për të treguar kapacitetet opercionale të Forcës Ajrore, në mbështetje të Emergjencave Civile, ku të pranishëm ishin ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, komandantë forcash, deputetë të Komisionit të Sigurisë, prefektët e qarqeve si dhe drejtorë drejtorie në Shtabin e Përgjithshëm.
Të pranishmit u njohën me kapacitet e  mjeteve për kryerjen e opercioneve ajrore për fikjen e zjarreve, si dhe ndoqën nga afër një mision real të shuarjes së zjarrit nga ajri.

Ministrja Xhaçka foli për avantazhet që sjellin në përballimin e zjarreve pajisjet e reja, pa harruar të përmendë djemtë dhe vajzat që angazhohen në terren në rastet e emergjencave.“Prej ditës së sotme, infrastruktura e Forcave të Armatosura është përmirësuar, pas pajisjes së helikopterëve me kovat e posaçme, të cilat kanë një kapacitet prej 2 mijë e 500 litrash uji. Ky kapacitet në fakt është 12 herë më im madh sesa përpjekjet e shkuara po kapacitet e shkuara që nuk kanë qenë tonat por i kemi nënkontraktuar për të adresuar problemin e shuarjes së zjarreve”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Duke kërkuar angazhim më të madh nga pushteti lokal, që nga buxheti i bashkive, ku duhet të parashikohen fonde për emergjencat civile, ministrja Xhaçka, gjatë fjalës së saj e konsideroi shumë pak buxhetin e vendosur nga bashkitë për emergjencat siç e parashikon ligji.

Nga ana e tyre prefektët vlerësuan kalimin e Emergjencave Civile nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të specifikave të veçanta të vendit tonë, por edhe për kapacitetet që ofrojnë Forcat e Armatosura.
Ministrja Xhaçka e cilësoi ligjin e ri të Emergjencave Civile si një reformë të mirëfilltë ligjore, administrative, operacionale dhe strukturore.

Qasja e re e Ministrisë së Mbrojtjes përsa i përket Emergjencave Civile dhe rritja e kapaciteteve të Forcës Ajrore, u vlerësuan dhe u mbështet edhe nga deputetët e Komisionit të Sigurisë të pranishëm në këtë aktivitet.







Media Sociale



Moti