87 vjet nga krijimi i Armës së Mbrojtjes Kundërajrore

bwd  Grup - Foto 1/2  fwd

Në ambientet e garnizonit të Rinasit,  është kremtuar sot paradite, 87 vjetori i  krijimit të Armës së Mbrojtjes Kundërajrore.  Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm  Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, veteranë, të ftuar dhe ushtarakë të Forcës Ajrore.

Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni të veçantë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, u shpreh ndër të tjera: ”Arma e nderuar e Mbrojtjes Kundërajrore shënon sot 87 vjetorin e krijim të saj. Në këtë përvjetor  Mbrojtja  Kundërajrore si dhe Aviacioni janë të përbashkuar. Jeni ju ata që meritoni nderim dhe respekt, po ashtu dhe gjithë ushtarakët e Forcës Ajrore,  si vazhdues të një misioni fisnik që transmeton  jo vetëm historinë e suksesit por edhe përgjegjësinë e  pasimit të misionit që mbart vlerat esenciale të Forcave të Armatosura dhe Kombit Shqiptar”, u shpreh ndër të tjera gjeneral brigade Kollçaku.

Në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e 87 vjetorit të krijimit të Armës së Mbrojtjes Kundërajrore, gjeneral brigade Kollçaku i kushtoi  një vëmendje të veçantë kompetimit me radarë në zbatim të projektit të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore (SIVHA).
 
Ceremonia e 87 vjetorit të krijimit të Armës së Mbrojtjes Kundërajrore, është përshëndetur dhe nga Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, i cili  duke e konsideruar këtë Armë si armë komplekse të Artilerisë dhe Radiolokacionit, theksoi se kjo armë ka shërbyer me shumë mundim dhe përkushtim për dekada të tëra krah armëve dhe shërbimeve të tjera në Forcat e Armatosura. Kjo armë ka patur veçorinë e saj pasi ka shërbyer në pikat më dominuese të relievit tonë dhe është përballur me vështirësitë në pozicionet e zjarrit të AKA.” Një falënderim  për të gjithë ushtarakët që kanë shërbyer me përkushtim dhe sakrifica për vendin tonë si dhe për familjarët e tyre, veçanërisht ai shprehu mirënjohje për familjet e dëshmorëve të kësaj arme, të cilët ranë në krye të detyrës duke mbrojtur pozicionet e zjarrit nga sulmet që u bënë në vitin e mbrapshtë të 1997-s”, u shpreh gjeneral brigade Avdiaj.

Në emër të veteranëve të Aviacionit të pranishmit në ceremoni i përshëndeti kolonel në rezervë Medin Shehu, ndërsa si përfaqësues i personelit të MKA-së në detyrë,  përshendeti kolonel Emëror Hajdarasi dhe kolonel Edmond Voci, si përfaqësues i personelit të shërbimit të Radiolokacionit Shqiptar. 

Në fund të ceremonisë,  të gjithë të pranishmit vizituan ekspozitën e ngritur me këtë rast, në të cilën ishin vendosur maketet e mjeteve të përdorura në Arma e Mbrojtjes Kundërajrore.







Media Sociale



Moti