Gjeneral brigade Kollçaku priti në takim komandantin e Forcës Detare të NATO, nënadmiral Clive CC Johnstone

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm  të FARSH gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, priti në një takim të veçantë Komandantin e Forcës Detare të NATO, (MARCOM), nënadmiral Clive CC Johnstone, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në vendin tonë.

Gjeneral brigade Kollçaku, pasi i uroi atij mirëseardhjen, nënvizoi gjatë fjalës së tij në takim se Forcat Detare janë një nga prioritetet kryesore te FASH për modernizimin, trajnimin dhe stërvitjet, me qëllimin për të përmbushur jo vetëm kërkesat në nivel të NATO-s, por edhe në nivel kombëtar, në mënyrë që të mund të rrisim kontributin e FARSH në aspektin cilësor.

Më tej gjatë takimit gjeneral brigade Kollçaku solli në vëmendje kontributin e Forcave Detare Shqiptare në Detin Egje me një Anije Patrulluese si pjesë e Grupit Detar të NATO, të caktuar për të patrulluar në dy zona kundër emigracionit të paligjshëm, si dhe pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet vjetore të marinës, kryesisht me vendet e NATO, si Greqia, Italia, Sllovenia dhe Mali I Zi.

Nga ana e tij nën admirali Johnstone , vlerësoi maksimalisht shërbimin e Forcave Detare Shqiptare në operacionin “Sea Guardian”, në Detin Egje, duke e siguruar gjeneral brigade Kollçakun, dhe FA shqiptare për vijimësinë  e bashkëpunimit edhe në të ardhmen si dhe mbështetjen e Forcave Detare Shqiptare në operacionet e NATO.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për perspektivat dhe mjedisin e sigurisë si dhe sfidat në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe sigurie në nivel NATO.







Media Sociale



Moti