Nënshkruhet marrëveshja teknike për dhurimin e 5000 armëve “Beretta” ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Italisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së RSH

Sot paradite në Shtabin e Përgjithshëm të FARSH, u nënshkrua “Marrëveshje Teknike ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Italisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë”, lidhur me transferimin pa pagesë, si dhurim, të 5000 armëve “Beretta”, “AR 70/90”, 228 kompleteve për pastrim armësh, si dhe 500 përshtatës për qitje manovër”.

Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, kolonel Petrit Çuni, ndërsa për palën italiane marrëveshja  u nënshkrua nga atasheu ushtarak italian, rezident në Tiranë, kolonel Fabio Cornacchia.

Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, kolonel Çuni, në emër të ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, i shprehu atasheut ushtarak italian mirënjohjen e thellë për akordimin për FARSH të këtij donacioni, i cili do të bëjë të mundur kompletimin e FARSH me armatim standard të NATO, të kalibrit 5.56 mm, duke bërë zëvendësimin gradual të armëve të lehta të kalibrit 7.62mm.

Ky donacion është i rëndësishëm për Forcat e Armatosura shqiptare, pasi bën të mundur rritjen e kapaciteteve operacionale dhe ndërveprimin e FARSH me vendet e NATO, veçanërisht gjatë pjesëmarrjes në operacionet e përbashkëta.

Përveç këtij projekti, bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Italisë ka qenë i vazhdueshëm në fushën e Mbrojtjes në stërvitje dhe operacione të përbashkëta të udhëhequr nga NATO, ku vlen të përmendet kontributi i FARSH në VJTF18 për periudhën STAND BY (Forca të Gatishmërisë së Lartë) me një kompani këmbësorie të Batalionit të II të Këmbësorisë (b2k) ku Italia është vendi udhëheqës (Framework Nation), për vitin 2018.







Media Sociale



Moti