Diplomohen kursantët e Kursit të Lartë të Oficerit dhe Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm për vitin akademik 2017-2018

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kursantëve të Kursit të Lartë të Oficerit dhe kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Forcave të Armatosura, për vitin akademik 2017-2018.

Në ceremoninë e cila u zhvillua në  auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, ishin të pranishëm gjithashtu Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Komandanti i KDS, gjeneral brigade Prof.Asoc.Dr. Bajram Begaj, Komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale në FSK gjeneral brigade Naim Haziri, Komandanti i Akademisë së FA, kolonel Dr. Eduart Bala, komandantët e Forcave në FA, atasheu ushtarak i Kosovës, kolonel Bashkim Shillova, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, familjarë të kursantëve si dhe të ftuar të tjerë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni  ritheksoi edhe njëherë faktin që Akademia e FA është një institucion tashmë i konsoliduar jo vetëm për Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, por për gjithë FA, e që ka kontribuuar në nxjerrjen e resurseve njerëzore ushtarake, të cilët kanë shërbyer me profesionalizëm jo vetëm brenda radhëve të FA, por kanë shfaqur ndjenjë të lartë profesionalizmi dhe përfaqësie dhe në misionet paqeruajtëse jashtë vendit. “...Sistemi arsimor ushtarak bazohet në një sistem vlerash e meritokracie. Profesioni i ushtarakut kërkon një zhvillimi të vazhdueshëm që konkretizohet më së miri me dijet e përfituara në kursin e KLO e KKSHP. Vizioni ynë është qëllimi i përbashkët, që është transformimi i Forcave të Armatosura. Kontributet tona kërkojnë nivel tepër të lartë cilësor, prandaj cilësia të jetë në epiqendër të arsimimit ushtarak.”, theksoi ndër të tjera, gjeneral brigade Kollçaku.

Në përfundim të fjalës përshëndetëse të tij, ai falënderoi për seriozitetin e treguar në të gjithë ecurinë  e zhvillimit të mësimdhënies si dhe të arsimimit në përgjithësi.

Ceremoninë e përshëndeti dhe Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Porf.Asoc. Dr. Bajram Begaj, i cili pasi vlerësoi institucionin e Akademisë së FA, si një institucion i cili ka luajtur dhe luan një rol parësor në përgatitjen dhe kualifikimin e ushtarakëve dhe civilëve të të gjitha niveleve, vuri theksin në rëndësinë e procesit të arsimimit ushtarak dhe përgatitjes profesionale të oficerëve që shërbejnë në radhët e FARSH.

Në emër të të diplomuarve të kursit të Lartë të Oficerit përshëndeti nënkolonel Aleksandër Xhafa, i cila pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre në këtë ceremoni të veçantë të diplomimit, nënvizoi programet bashkëkohore të ofruara nga Akademia e Forcave të Armatosura, leksionet tërheqëse, diskutimet nxitëse dhe zgjidhjet praktike, si një pasuri të mendimit dhe veprimit.

Në Kursin e Lartë të Oficerit u diplomuan 16 nënkolonelë, nga të cilët 15 nënkolonelë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të RSH dhe një n/kolonel i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm u diplomuan 31 majorë, nga të cilët 25 majorë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të RSH dhe 6 majorë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.







Media Sociale



Moti